Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar Deklaratën trelaterale për aleancë ushtarake. Kjo ujdi u tha që synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tri vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon, raporton KosovaPress.
Nënshkrimi i këtij memorandumi u bë në Shqipëri, ku ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, me nderime të larta ushtarake ka pritur homologët e tij nga Kosova, Ejup Maqedonci dhe nga Kroacia, Ivan Anushiq.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se synimi i bashkëpunimit nuk është kërcënim për askënd, por mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin.
“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është rast kërcënimi për askënd, mirëpo është mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë sigurinë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor por edhe sigurinë e vendeve tona. Tri vendet tona që ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta janë të bashkuara për t’u përballur me çdo kërcënim dhe rrezik që synon destabilizimin e regjionit”, tha ai.
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe për zhvillimin e kapaciteteve në përballimin e rreziqeve dhe sfidave të përbashkëta, shkruan KosovaPress.
“Deklarata përkthen jo vetëm një vullnet politik, por gjithashtu disa prioritete që ne ndajmë së bashku. Kryesisht ka të bëjë me rëndësinë që vendet tona i japin ri ngritjes së industrisë ushtarake dhe nevojën që në këtë shtyllë të sigurisë kombëtare vendet tona të bashkëpunojnë edhe më thellë dhe më gjerë. Pika e dytë ka të bëjë për bashkëpunimin që forcat tona të armatosura do të bëjnë, qoftë në stërvitje apo në kapacitete”, tha ai.
E ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, tha se ky zhvillim strategjik pasqyron aleancën e ngushtë mes tri shteteve, të lidhura nga historia, sakrificat për liri dhe një vizion i përbashkët për një të ardhme të sigurt, transmeton KosovaPress.
“Ky bashkëpunim do të bazohet sidomos te dhënia e ndihmës te pjesa e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes, ndryshimit të përmbushjes së të gjithë marrëveshjeve që kemi firmosur deri tani. Këto tani duam t’i fuqizojmë dhe të ndajmë eksperiencën e shtetit tonë si Kroaci si pjesë e NATO-s dhe BE-së”, theksoi Anushiq.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim