Për të ardhmen e Republikës së Kosovës raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ekzistenciale, kështu thotë sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një intervistë në Podcasting “Me Kast” me autoren Paulina Nushi në Glam Radio.
“Nuk është turp e as nuk është shenjë dobësie që të kërkojmë aleancë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne të drejtë historike kemi pasur gjithmonë, mirëpo ëndrrat dhe aspiratat i kemi jetësuar kur i kemi pasur miqtë afër”, tha Çitaku.
Më tutje ajo thotë se Kosovës askush nuk i ka borxh asgjë.
“Ne duhet të fuqizohemi në mirëmbajtjen e raporteve sepse askush nuk na e ka asnjë borxh e asnjë detyrim, unë zbavitem e ndonjëherë edhe qeshë e pastaj mërzitem me rrëfimet që dëgjoj se “Amerika ka pasur interes”. Më thoni cilin interes e ka pasur Amerika, interesin ekonomik?! Kosova është e vogël relativisht si territor, ekonomi e popullsi, interesi i vetëm i Amerikës atëherë ka qenë që të ndaloi shfarosjen e popullit të Kosovës”, tha ajo.
Sipas Çitakut, Kosova ka arritur suksese epokale falë koordinimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Njohjen e fundit e kemi marrë në Shtëpi të Bardhë, së fundmi është për keqardhje me çfarë lloj shpërfillje janë trajtuar aleancat, ka pasur shpërfillje ndaj çdo përpjekje të madhe që SHBA-të dhe aleatët tanë evropian kanë bërë për t’u koordinuar hapat e rëndësishëm pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.”
Çitaku theksoi se “arroganca nuk i bën nder Kosovës”.
“Sa herë që jemi koordinuar me SHBA-të, Kosova ka dal edhe fitimtare edhe më e fuqishme, pas çdo raundi kemi dalë fitimtarë. Ne duhet të tregojmë seriozitet, ajo lloj ideje e sovranitetit absolut nuk ekziston në shekullin që jetojmë, sot jetojmë në epokën e ndërvarësisë, nëse dëshiron të jesh pjesë e NATO-s ti ke obligime dhe duhet të koordinohesh me aleatët. SHBA-të koordinohen me Japoninë, me Francën, Franca koordinohet me Gjermaninë”, u shpreh Çitaku.
Çitaku tha se në shekullin në të cilin jetojmë “as Amerika nuk mundet e vetme”.