Një burrë norvegjez ka paraqitur një ankesë kundër kompanisë që qëndron pas ChatGPT, pasi chatbot-i gabimisht pretendoi se ai kishte vrarë dy djemtë e tij.
Arve Hjalmar Holmen kërkoi informacion për veten dhe mori një përgjigje që e akuzonte për vrasjen e dy fëmijëve të tij në 2020, duke pretenduar se ai ishte dënuar me 21 vjet burg. Holmen e quajti këtë histori “plotësisht të rreme” dhe tha se ajo përmbante elemente që ngjanin me jetën e tij, si qyteti i tij dhe numri i fëmijëve, raporton The Guardian.
Holmen ka paraqitur ankesën për shkeljen e rregullave të saktësisë sipas ligjit evropian për të dhënat (GDPR) dhe ka kërkuar nga autoritetet norvegjeze që të urdhërojnë OpenAI të rregullojë modelin e ChatGPT për të eliminuar rezultatet e pasakta dhe të vendosë një gjobë ndaj kompanisë. Ai tha se ky informacion mund të ndikonte negativisht në jetën e tij private dhe të shkaktonte dëme në komunitetin e tij, transmeton KosovaPress.
Një zëdhënës i OpenAI tha se ata po punonin për të përmirësuar saktësinë e modeleve dhe për të ulur gabimet, të njohura si “halucinacione”.