Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Kundër certifikimit të rezultateve votuan dy anëtarët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, pasi sipas tyre duhet pritur të gjitha mundësitë ligjore në lidhje me pretendimet e tyre për manipulim të votave me postë nga LDK-ja, raporton KosovaPress.
Në bazë të rezultatit të certifikuar të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 42.30 për qind, Partia Demokratike e Kosovës 20.95, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27, koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind dhe Lista Serbe 4.26 për qind.
Paraprakisht, në mbledhjen e sotme të KQZ-së u zhvillua debat në lidhje me zëvendësimin e tre kandidatëve që kanë dhënë dorëheqje nga posti i deputetit.
Megjithatë, KQZ-ja zëvendësoi Gazmend Muhaxherin dhe Imri Ahmeti me Arben Gashin dhe Paris Gurin nga LDK-ja, ndërsa Bedri Hamzën me Rashit Qalajn nga PDK-ja.
Muhaxheri, Ahmeti dhe Hamza kanë vendosur të mbajnë postin e kryetarit të komunës.
/KosovaPress/