Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar të enjten rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Kundër certifikimit të rezultateve votuan dy anëtarët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, pasi sipas tyre “është manipuluar rezultati i zgjedhjeve” dhe se duhet pritur të gjitha mundësitë ligjore sa i përket pretendimeve të tyre për manipulim të votave me postë nga LDK-ja, raporton KosovaPress.
Ankesat e LVV-së për manipulim të votave me postë nga ana e LDK-së janë rrëzuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) si dhe Gjykata Supreme.
Në bazë të rezultatit të certifikuar të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 42.30 për qind, Partia Demokratike e Kosovës 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27 për qind, koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind, Lista Serbe 4.26 për qind.
Ky rezultat ia siguron Lëvizjes Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve 48 deputetë në Kuvendin e Kosovës, PDK-së 24 deputetë, LDK-së 20 deputetë, koalicionit AAK-Nisma 8 deputetë si dhe komunitet jo shumicë 20 deputetë.
Para certifikimit të rezultateve, kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, i cili ka garuar në listën për kandidatë për deputet të PDK-së, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe kryetar i Lipjanit, Imri Ahmeti të cilët kanë kandiduar në listën e LDK-së kanë dhënë dorëheqje nga posti i deputetit.
Ata u zëvendësuan nga Rashit Qalaj-PDK, si dhe Arben Gashi e Paris Guri nga LDK.
E akuza për procesin zgjedhor adresoi anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi.
Ai tha se procesi zgjedhor i 9 shkurtit ka qenë i dështuar dhe se ka pasur probleme të mëdha KQZ-ja.
Kurteshi duke arsyetuar mos votimin e certifikimit të rezultateve të 9 shkurtit, tha se zgjedhjet janë të manipuluara, duke aluduar në votat me postë të LDK-së. Ai tha se për këtë çështje do të dorëzojnë ankesë edhe në Gjykatën Kushtetuese, pas rrëzimit të pretendimeve të tyre nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi tha se procesi zgjedhor i 9 shkurtit ka pasur shumë sfida si rezultat i reformës zgjedhore. Ai shtoi se kurdo që mbahen sërish zgjedhjet probleme të njëjta do të kenë sërish në votimin nga diaspora.
Por, Alban Krasniqi nga LVV-ja tha se ky proces zgjedhor “ka lënë shenja të këqija që rrezikojnë demokracinë nëse nuk ndëshkohen nga organet e drejtësisë”.
Paraprakisht, në mbledhjen e sotme të KQZ-së u zhvillua debat në lidhje me certifikimit e kandidatëve që kanë fituar postin e deputetit që kanë dhënë dorëheqje, si dhe në anën tjetër, të tjerë që s’janë dorëhequr ende nga postet tjera të tyre, në Qeveri dhe komuna.
Anëtari i LVV-së në KQZ, Alban Krasniqi, kërkoi që të vazhdohet me listat aktuale dhe ata që marrin mandatin më pas të zëvendësohen.
Mirëpo, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se praktikë e njëjtë ka pasur edhe më herët ky institucion, ku ata që kanë dhënë dorëheqje nga posti i deputetit janë zëvendësuar nga të radhës para certifikimit të rezultateve”.
Në anën tjetër, Ilir Gashi nga PDK-ja tha se sipas ligjeve në fuqi disa kategori institucionale si anëtarët e qeverisë duhet paraprakisht të japin dorëheqje para certifikimit të rezultateve.
Por me një gjë të tillë nuk u pajtua Kurteshi nga LVV-ja, i cili madje kritikoi KQZ-në në njoftimin e saj për certifikimin e zgjedhjeve pasi nuk është thirrur në nenet që duhet të citohen.
Në debat u përfshi edhe kryetari Radoniqi, i cili tha se Ligji për Qeverinë nuk i jep asnjë obligim KQZ-së, pasi dorëheqja apo jo e anëtarëve të qeverisë para certifikimit të rezultateve nuk është punë e tyre.
Pas certifikimit të zgjedhjeve tani nis rrjedha e afateve ligjore për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit nga ana e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo në afat prej 30 ditëve prej certifikimit të rezultateve mund të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit për dhënien e betimit të deputetëve.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.
/KosovaPress/