Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka deklaruar se janë në pritje të konfirmimit për pjesëmarrjen e Organizatave të Veteranëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), në Këshillin Shtetëror për shënimin e 27 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Ai në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë tha se të enjten është mbledhja e këshillit, ku duhet të tregohet bashkëpunim dhe unitet. Sipas tij, organizatat e dala nga lufta e kanë vendin aty.
“Ne ju kemi dërguar ftesë pasi janë në vendim të anëtarëve të këshillit organizativ të tri organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, ndërsa po presim konfirmimin e tyre. Dje kishim një deklarim publik nga njëri prej përfaqësuesve të këtyre organizatave i cili tha se do të bëjmë një konsultim të brendshëm të tri organizatave dhe do të marrin vendim. Ne i ftojmë që të jenë pjesë e këtij organizimi pasi aty e kanë vendin. Epopeja e UÇK-së është e të gjithëve dhe sidomos e atyre që kanë qenë pjesë e luftës. Në këtë drejtim nesër mbledhja duhet të tregojë bashkëpunim dhe unitet”, tha ai.
Çeku theksoi se çdo përpjekje për ta politizuar këtë moment të rëndësishëm, në rastin më të mirë duhet të injorohet.
Një ditë më parë Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve deklaroi se nuk janë të vendosur nëse do të dërgojnë përfaqësues në Këshillin Shtetëror për shënimin e Epopesë së UÇK-së, këshill ky i themeluar sot nga Qeverisë së Kosovës.