Pas një takimi të hënën me homologun e tij malazez, Jakov Milatovic, presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, tha se shteti i tij do të vazhdojë të mbështesë perspektivën evropiane të Malit të Zi “veçanërisht bazuar në rezultatet e suksesshme të fundit që ka arritur në rrugën drejt anëtarësimit në BE, siç është mbyllja e kapitujve të rëndësishëm të negociatave në fund të vitit të kaluar”.
Milatovic po zhvillon një vizitë dy-ditore në Bullgari.
Fokusi i bisedimeve mes dy presidentëve ishte te mundësitë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushat e ekonomisë, lidhshmërisë, arsimit dhe shkencës, kulturës, sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore, raporton BTA, përcjellë KosovaPress.
“Kjo vizitë është e rëndësishme sepse konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera mes Bullgarisë dhe Malit të Zi në nivelin më të lartë politik. Dy vendet tona ndajnë lidhje të lashta kulturore dhe shpirtërore, si dhe një histori të ngjashme. Sot po zhvillojmë marrëdhëniet tona mbi bazën e vlerave të përbashkëta, besimit të ndërsjellë, miqësisë, dhe bashkëpunimit konstruktiv brenda NATO-s dhe shumë forumeve ndërkombëtare. Presim që së shpejti të ndajmë vlera dhe përgjegjësi të përbashkëta brenda Bashkimit Evropian,” tha Radev.
Ai theksoi se dy vendet janë të lidhura nga angazhimi i përbashkët për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e tërë rajonit.
“Kjo mund të arrihet vetëm nëse punojmë së bashku” shtoi ai, transmeton KosovaPress.
Radev falënderoi Malin e Zi për vendimin e tij për të dërguar një kontingjent në krahun Lindor të NATO-s, në grupin shumëkombësh të betejës, i cili ndodhet në territorin bullgar.
Radev gjithashtu komentoi mundësinë e krijimit të një lidhjeje ajrore direkte mes kryeqyteteve të të dyja vendeve.
“Unë besoj se intensiteti i bisedimeve në nivelin e presidentëve, ministrave përkatës dhe transportuesve ajrorë do të çojë shpejt në një vendim dhe mundësinë për të pasur një lidhje ajrore direkte mes Podgoricës dhe Sofjes,” tha ai.
Sipas tij, lidhja ajrore direkte do të forconte marrëdhëniet në të gjitha fushat e tjera.
“Ka shumë për të dëshiruar në fushën e tregtisë dhe shkëmbimeve ekonomike, të cilat janë larg potencialit të dy vendeve tona,” tha Radev. Ai vuri në dukje se dy vendet mund të bashkëpunojnë gjithashtu në fushën e turizmit, duke theksuar iniciativën “Destination Balkans” të këtij vendi. “Shpresojmë që me paketat e përbashkëta të mund të tërheqim turistë nga destinacione të largëta në vendet tona,” përfundoi ai.