Bullgari, shpenzimet e mbrojtjes për vitin 2025 në 2.09 për qind të PBB-së

Bullgari, shpenzimet e mbrojtjes për vitin 2025 në 2.09 për qind të PBB-së

Ministri i Mbrojtjes, Atanas Zapryanov, ka deklaruar të martën se shpenzimet e mbrojtjes në vitin 2025 do të jenë në 2.09% të PBB-së. Ai foli me gazetarët në ditën e parë të Konferencës vjetore dyditore të Shefit të Mbrojtjes. Shefi i Mbrojtjes, Admirali Emil Eftimov, ka prezantuar një analizë të gjendjes dhe përgatitjes së forcave të armatosura në vitin 2024.

“Nëse marrim parasysh paratë e kompensimit, buxheti do të arrijë në 2.09%. Lajmi i mirë është se programi i qeverisjes parashikon 2.5% të PBB-së për vitet e ardhshme,” tha Zaprjanov.

Programi i qeverisjes përfshin një rishikim strategjik të kapaciteteve ushtarake, ka thënë ai. “Objektivat e reja të kapaciteteve të NATO-s janë shumë më të gjera dhe kërkojnë që ne të rregullojmë planet tona të zhvillimit të kapaciteteve” ka thënë Zapryanov. Një nga idetë e Ministrisë së Mbrojtjes – trajnimi i detyrueshëm ushtarak për qytetarët – mungon në programin e qeverisjes sepse njëra nga partitë në koalicion nuk e miraton atë. Ideja ishte që të kërkohej trajnim ushtarak për punonjësit në departamente të caktuara ku mbajtja e një arme është pjesë e punës.


“Përveç kundërshtimit të njërës prej partive politike, ne përballemi edhe me rezistencë nga departamente të caktuara,” ka komentuar Zaprjanov, duke shtuar se Ministria e Brendshme është njëra prej tyre. Ata janë të shqetësuar se një kërkesë e tillë do të kufizonte mundësitë e qytetarëve për t’u bashkuar me Ministrinë e Brendshme, shpjegoi ai.

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur me analizën sepse është shumë e sinqertë dhe pasqyron me saktësi gjendjen e Forcave të Armatosura pa fshehur asgjë. Ne do të përgatisim dhe do t’i paraqesim Kuvendit një raport progresi për zbatimin e programit të investimeve”, ka shtuar Zapryanov.

“Kërkesa për gatishmërinë e forcës është rritur ndjeshëm dhe në mënyrë të vendosur, gjë që ngre pikëpyetje për rekrutimin e personelit. Unë e kam pranuar propozimin e shefit të mbrojtjes dhe do të identifikohen njësitë prioritare për t’u plotësuar fillimisht”, ka deklaruar ministri./BTA-KosovaPress

Lexo edhe

Video