Prodhuesi amerikan i avionëve Boeing raportoi një humbje prej rreth 4 miliardë dollarësh në tremujorin e katërt 2024 dhe të ardhurat ranë rreth 30 për qind nga një vit më parë.
Humbja neto për tremujorin e katërt pritet të jetë 5,46 dollarë për aksion, ekuivalente me rreth 4 miliardë dollarë, duke reflektuar kostot në divizionet e Avionëve Tregtar dhe Mbrojtjes, Hapësirës dhe Sigurisë, uljen e dërgesave të avionëve dhe ndikimin e një greve nga më shumë se 33.000 punonjës , sipas një raporti të publikuar dje.
Në nëntë muajt e parë 2024, humbjet e Boeing arritën pothuajse tetë miliardë dollarë, që do të thotë se vitin e kaluar e përfunduan në të kuqe me pothuajse 12 miliardë dollarë, njësoj si në vitin 2020, sipas të dhënave në faqen e internetit.
Boeing ka pasur humbje që nga viti 2019, kur avioni i tij 737 MAX u ndal në mbarë botën për shkak të dy aksidenteve të rënda që vranë gjithsej 346 persona.
Linja ajrore vlerëson paraprakisht se të ardhurat e saj në tremujorin e katërt të vitit të kaluar ishin 15.2 miliardë dollarë, që do të përfaqësonte një rënie prej 31 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Në divizionin e avionëve komercialë, të ardhurat janë përgjysmuar në 4.8 miliardë dollarë. Të ardhurat e Departamentit të Mbrojtjes, Hapësirës dhe Sigurisë duhet të arrijnë në 5.4 miliardë dollarë, tregojnë llogaritjet paraprake dhe të jenë rreth 20 për qind më të ulëta se një vit më parë.
Menaxhmenti tha se kostot në programet 777X dhe 767 në divizionin e avionëve komercialë, sipas vlerësimeve paraprake, arritën në rreth 1.1 miliard dollarë dhe në divizionin e Mbrojtjes, Hapësirës dhe Sigurisë, 1.7 miliardë dollarë.
Rezultatet përfundimtare të funksionimit për tremujorin e katërt dhe vitin e plotë 2024 do të shpallen javën e ardhshme.