Përfaqësues të SHBA-së dhe Rusisë po zhvillojnë bisedime në Riad, Arabinë Saudite, me raportet që tregojnë se një armëpushim detar për luftën në Ukrainë është në krye të agjendë, raporton BBC.
Ata po përpiqen të rigjallërojnë një marrëveshje të vitit 2022 që lejoi Ukrainën të eksportonte grurë nëpërmjet Detit të Zi pa sulme nga Rusia, ndërkohë që Moska kërkon lehtësim nga sanksionet perëndimore për të eksportuar plehra kimikë.
Kjo vjen një ditë pas bisedimeve SHBA-Ukrainë në Riad, që Kievi i përshkroi si “produktive dhe të përqendruara”. Sulmet përtej kufirit vazhduan, me një sulm ajror rus që plagosi një burrë 37 vjeç në rajonin e Kievit. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se ka rrëzuar 227 dronë ukrainas gjatë natës në disa rajone ruse, transmeton KosovaPress.
Ndërkohë, bisedimet për një armëpushim të gjerë vazhdojnë, pavarësisht akuzave të dy palëve për moszbatimin e marrëveshjes për një armëpushim 30-ditor që u arrit javën e kaluar. I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, shpreson për progres të vërtetë gjatë bisedimeve.