SHBA u ka dërguar një pyetësor aleatëve evropianë, duke u kërkuar atyre propozime të hollësishme për armët, trupat paqeruajtëse dhe aranzhimet e sigurisë që mund t’i japin Kievit si pjesë e garancive të sigurisë që mund të bien dakord për t’i dhënë fund pushtimit rus.
Dokumenti, i cili përbëhet nga gjashtë pika dhe pyetje, u kërkon gjithashtu vendeve evropiane të tregojnë se cilat shtete mund të marrin pjesë në dhënien e garancive të sigurisë, të cilat do të ishin të gatshme të dërgonin trupa në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje dhe sa do të ishte madhësia e një force të mundshme paqeruajtëse evropiane.
Po ashtu, dokumenti ngre pyetjen se çfarë do të ishin të gatshme të bënin qeveritë për të forcuar sanksionet kundër Rusisë, duke përfshirë zbatimin më të rreptë të masave ekzistuese.
“Cilat, nëse ka, kërkesa për mbështetjen e SHBA-së i konsideron të nevojshme qeveria juaj për të marrë pjesë në këto marrëveshje sigurie? Konkretisht, cilat burime afatshkurtra dhe afatgjata të SHBA i konsideroni të nevojshme?” është një nga pyetjet.
“Nëse forcat ushtarake nga vendet e treta do të dislokoheshin në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, çfarë madhësie të një force të tillë evropiane do ta konsideronit të nevojshme? Si dhe ku do të dislokoheshin këto forca dhe për sa kohë?”, është pyetja e dytë.
“Çfarë aftësish shtesë, pajisjesh dhe opsionesh mirëmbajtjeje është e gatshme t’i sigurojë Ukrainës qeveria juaj për të përmirësuar pozicionin e saj negociues dhe për të rritur presionin ndaj Rusisë?”, thuhet në pyetësor.
Dy diplomatë evropianë thanë për mediat britanike se kishte ende debat se si do të përgjigjeshin kryeqytetet evropiane, por disa besonin se përgjigja duhet të ishte kolektive.