Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh sot se, tuneli i Murrizit është inauguruar nga 2022 gjer sot tre herë.
Berisha tha se “Rruga e Arbrit inaugurohet 16 vjet pas fillimit të saj. Jo plotësisht bile. 32 kilometra të kësaj rruge u inauguruan para vitit 2013. 27 kilometra rrugë të parashikuara për 160 milionë euro, kanë shkuar gjer tani 450 milionë euro. Do të thotë, tri herë mbi parashikimin. Një kilometër i saj ka kushtuar 1.2 herë më shtrenjtë se një kilometër i Rrugës së Kombit”.
Sipas tij, Tuneli i Murrizit është shpallur që do të inaugurohet këtë datë e këtë datë dhe nuk është inauguruar ndonjëherë.
“Uroj me gjithë zemër që tuneli të funksionojë, sepse në vlerësimin tim tuneli është ndërtuar duke shkelur kondicionet dhe rekomandimet e kompanive më prestigjioze të fushës, ndër të cilat kompanitë daneze etj. Uroj edhe njëherë që të jetë i suksesshëm më së fundi. Por zona është realisht problematike”, tha ai.
Ai shtoi se ky aks rrugor nuk ka asnjë parametër dhe se nuk plotëson asnjë standard që duhet të plotësojë.
Berisha se do të protestojnë nesër në orën 19.00 në sheshin “Skënderbej” të Tiranës, transmeton ATSH, përcjell KosovaPress.
“Nesër është një ditë ku ne të protestojmë që të gjithë për fjalën e lirë. Të protestojmë kundër censurës. Edi Rama tejkaloi edhe këtë dhe censuron TikTokun, mjetin aktualisht më modern të komunikimit. Garantoj të gjithë shkollarët e Shqipërisë, nxënësit e shkollave 9-vjeçare, gjimnazistët, studentët dhe të tjerët, se me datën 12, TikTokun do e kenë në telefonat e tyre, në kompjuterët e tyre dhe do ndëshkohet rëndë për veprën antikushtetuese një mega-krim i përmasave gjigante, Edi Rama për këtë akt të tij”, tha Berisha.
Berisha foli edhe për listat e kandidatëve të deputetë të PD në zgjedhjet e 11 majit.
“Po të ndalesh si politolog nuk do të gjesh në 34 vite në skenën politike shqiptare një njeri si Sali Berisha që jo vetëm e pranon, por e parapëlqen diversitetin dhe këtë ta them me bindjen më të thellë. Asnjë njeri nuk është hequr dhe nuk mund të hiqet se Sali Berisha nuk mund ta toleronte atë për mendimet e tij ndryshe nga unë. Kurrë, nuk ndodh ajo. Atë që e mendojnë këtë. Ndonjë prej personave që mund të ketë menduar se nuk është në listë për këtë arsye, ka gabuar, nuk mund të mbetet kush. Unë në fund të fundit, këtë jetë politike e kam nisur për motivin më themelor të pranimit të mendimit ndryshe. Kjo ka qenë”, tha ai.
“Po të më kthesh në origjinë atje ku kam filluar, për mendimin ndryshe e kam filluar. E kam filluar për mendimin ndryshe, kur ai kushtonte ndonjëherë me çmim shumë të shtrenjtë. Nuk heq dorë unë nga ajo. Nuk më pozicionon mua kush se pse, kundërshton apo kritikon në pozicion që unë të them, se nuk të toleroj. Mund të mendojnë, kjo është normale, por nuk është e vërtetë”, u shpreh Berisha.
Hapet sot Tuneli i Murrizit, vepra më e rëndësishme e rrugës së Arbrit • KosovaPress