Për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komuna e Prishtinës ka organizuar një seancë solemne, ku kryetari i komunës, Përparim Rama, ndau mirënjohje për familjen Jashari si simbol të sakrificës dhe angazhimit të kryeqytetit në ruajtjen e vlerave të shtetit të Kosovës.
Derisa seanca nisi me intonimin e himnit të Kosovës dhe atij kombëtar, u mbajt edhe një minutë heshtje në nderim të dëshmorëve dhe martirët e UÇK-së.
Rama theksoi se sakrifica e familjes Jashari ka qenë një pikë kthese në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, duke kujtuar momentet e marsit 1998, kur në Prekaz nuk u zhvillua thjesht një betejë, por një legjendë.
Ai e vlerësoi Adem Jasharin dhe familjen Jashari si figura të pavdekshme të lirisë dhe kujtoi se Kosova duhet të jetë një vend i drejtësisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët.
I pranishëm në këtë seancë ishte edhe pjesëtari i familjes Jashari, Bekim Jashari, i cili derisa foli edhe për amanetin e të rënëve për liri.
“Dëshmorët e kombit janë vëllezër e motra të lidhur nga ideali i lirisë, të bashkuar me kauzën e shenjtë të atdheut. Ata prehen të qetë në tokën e Kosovës, si themel i palëkundur i shtetit dhe si mburojë e pathyeshme ndaj çdo sfide që bëhet në vendin tonë. Sot duke kujtuar dhe nderuar ata që dhanë jetën për liri, nuk përulemi vetëm para së kaluarës, por ndërtojmë të ardhmen. Dëshmorët nuk u sakrifikuan që ne të mbetemi të ndarë, që të harrojmë vlerat dhe parimet për të cilat luftuan, përkundrazi, ata na lanë një amanet të shenjtë, të jemi të bashkuar dhe të punojmë për të forcuar shtetin dhe lartësuar kombin tonë. Ky amanet është detyrimi ynë më i madh. Ne nuk mund të lejojmë që gjaku i derdhur të mbetet thjesht një kujtim, duhet të nderojmë atë me vepra, dhe përkushtim të palëkundur. Kosova duhet të jetë vendi që ata nderuan, një shtet ku mbizotëron drejtësia, barazia dhe zhvillimi, ku çdo qytetar jeton me dinjitet dhe shpresë. Më shumë se kurrë na duhet guximi i tyre, vendosmëria dhe dashuria e pashtershme për atdheun”, tha Jashari.
Kryesues i Kuvendit Komunal në Prishtinë, Fehmi Kupina e quajti këtë ditë një moment reflektimi dhe nderimi për ata që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës. Ai u shpreh se liria është fituar me sakrificë dhe guxim dhe sipas tij, “është detyrë e secilit prej nesh ta mbrojmë atë me dinjitet”.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i organizatës të dalura nga lufta, dega në Prishtinë, Fatmir Sopi kujtoi betejën historike të familjes Jashari dhe rëndësinë e saj në luftën për liri. Ai e përmendi intervenimin e NATO-s dhe kritikoi padrejtësinë ndaj çlirimtarëve që po përballen me procese gjyqësore të motivuara nga Beogradi.
5,6 dhe 7 marsi njihet si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u vranë 59 anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës tri ditore.