Rëndësia e lirive fetare dhe angazhimi i Bashkësisë Islame në avancimin e të drejtave dhe lirive fetare në Kosovë u diskutua në takimin e Naim Tërnavës me zyrtaren për çështje politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Brooke Young.
Ky takim u zhvillua gjatë ditës derisa u tha se Kosova është një shembull i harmonisë fetare.
“Gjatë këtij takimi u diskutua për rëndësinë e lirive fetare dhe angazhimin e Bashkësisë Islame në avancimin e të drejtave dhe lirive fetare në Kosovë. Myftiu Tërnava theksoi se Kosova është një shembull i harmonisë fetare, ku besimtarët e feve të ndryshme bashkëjetojnë në paqe dhe respekt”, thuhet në komunikatë.
Tërnava poashtu tha se Bashkësia Islame e Kosovës ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e lirive fetare dhe respektimin e diversitetit, duke kontribuuar kështu në forcimin e paqes dhe stabilitetit në vend.
Ndërsa Brooke Young, vlerësoi lart kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe angazhimin e saj për t’i ruajtur dhe forcuar liritë fetare, duke theksuar faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin përpjekjet e Kosovës për të promovuar tolerancën fetare dhe të drejtat e njeriut.
Ajo me këtë rast theksoi rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe bashkëpunimin për ndërtimin e një shoqërie të barabartë për të gjithë qytetarët.