Nëse në shumë raste kanë mospajtime, si te kategorizimi apo ndarja e buxhetit, ajo që po i bashkon Ministrinë e Sportit dhe Federatat e Sportit është qëllimi për avancimin e vajzave dhe grave në sport.
Me rastin e nënshkrimit të memorandumeve, MKRS-ja obligon federatat që 30 për qind të buxhetit ta dedikojnë për gratë dhe vajzat, vendim ky i cili po mirëpritet nga drejtuesit e federatave.
Zëvendësministrja e Sportit Daulina Osmani, ka thënë për KosovaPress se ky vendim lidhet ngushtë me kauzën globale për barazi gjinore.
Sekretari i Federatës së Hendbollit, Muhamet Arifi deklaron për KosovaPress se kjo federatë tashmë ka rreth 48 për qind gra në gjithë komunitetin e përfshirë në sportin e hendbollit në Kosovë.
Por, ka të atillë që rekomandojnë që përqindja e buxhetit të federatave që duhet dedikuar për gra të jetë shumë më i lartë. Nazmi Gashi, sekretarë i Federatës së Karatesë thotë se duke parë rezultatet e mëdha që kanë arritur vajzat në sport, ky buxhet duhet të jetë deri në 70 për qind.
Duhet cekur se Kosova ka rrëmbyer medalje të arta e të argjendta, por edhe kampionate ballkanike, evropiane e botërore në sporte, si xhudo, boks e karate pikërisht nga vajzat.
/KosovaPress/