Autoritetet lokale në ishullin përtej detit Mayotte të Francës kanë frikë se cikloni Chido mund të lërë gati 1 mijë të vdekur.
Prefekti i Majotit, Francois-Xavier Bieuville i tha transmetuesit Mayotte La 1ere se mund të kishte disa qindra vdekje, “mbase do t’i afroheshim 1 mijë”.
Ai theksoi se numërimi i viktimave në njerëz ishte i vështirë, shkruan AA, transmeton KosovaPress.
Stuhia e fuqishme, e cila goditi ishullin e Oqeanit Indian të shtunën, solli shira të rrëmbyeshëm dhe erëra që kaluan 200 kilometra në orë (124 milje në orë), sipas policisë.
Lagje të tëra janë rrafshuar dhe infrastruktura kryesore ka pësuar dëme të konsiderueshme.
Pasi u hoq alarmi i kuq, ekipet e shpëtimit nxituan në zonat e shkatërruara për të shpëtuar të mbijetuarit e mundshëm dhe për të gjetur trupa, por disa zona mbeten ende të paarritshme, sipas transmetuesit francez BFMTV.
Presidenti Emmanuel Macron do të mbledhë një takim krize në Ministrinë e Brendshme të hënën në mbrëmje për të diskutuar situatën në rajonin më të varfër të vendit.
Ministri i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu tha të dielën në X se një urë ajrore u krijua midis Mayotte dhe territorit tjetër jashtë shtetit të Francës në të njëjtin rajon, ishullin Reunion, që ndodhet në lindje të Madagaskarit.