Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se kanë mbledhur 184.3 milionë euro tatime për periudhën janar-shkurt 2025.
Sipas ATK-së viti i kaluar ishte një vit i jashtëzakonshëm në aspektin e realizimit të objektivave, por edhe i vlerësimeve nga institucionet ndërkombëtare.
Sipas njoftimit në vitin 2024 janë mbledhur të hyra rekorde, duke tejkaluar parashikimet dhe duke konfirmuar angazhimin e menaxhmentit dhe stafit të ATK-së për një sistem tatimor efikas, të drejtë dhe transparent.
“Sot raportojmë për tendencën e rritjes së qëndrueshme të të hyrave tatimore për këtë vit. Të dhënat statistikore për dy muajt e parë të vitit 2025 tregojnë se këto të hyra premtojnë realizimin e projeksionit të planifikuar. Janë gjithsejtë 184.3 milionë euro tatime të mbledhura vetëm për këta dy muaj, që në krahasim me janar-shkurt nga vitit 2024 janë 7.2 % më shumë, apo 12.3 milionë euro”, thuhet në njoftim.
ATK ka bërë me dije se në muajt në vijim do të vazhdoj me intensifikimin e angazhimit për të lehtësuar përmbushjen vullnetare të tatimeve, për të rritur mbikëqyrjen dhe për të përmirësuar mekanizmat e institucionit.
“Do të vazhdohet gjithashtu me implementimin e projekteve dhe reformave të reja, që synojnë rritjen e disiplinës tatimore dhe përmirësimin e ambientit të të bërit biznes”, përfundon njoftimi.