Atalanta e Berat Xhimshitit fiton përballë Empolit të Ardian Ismajlit

Atalanta e Berat Xhimshitit fiton përballë Empolit të Ardian Ismajlit

Skuadra Empoli për pak sa nuk e befasoi Atalanta duke e lënë pa fitore liderin sonte në Bergamo.

Berat Xhimshiti me shokë hynë në lojë për fitoren e radhës që do t’i ndihmonte shumë në luftën e madhe për titullin e kampionit, por skuadra e Ardian Ismajlit u tregua “arrë e fortë”.

Lorenzo Colombo solli mysafirët në epërsi me golin në minutën e 13-të, pas asistimit të Liam Henderson. Atalanta arriti të barazojë përmes Charles De Ketelaere në minutën e 34-të pas asistimit të Davide Zappacosta.


Megjithatë, ekipi nga Bergamo shkoi në pushime mes dy pjesëve të ndeshjes me epërsi prej 2:1, pasi në minutën e parë të kohës shtesë Ademola Lookman shënoi gol, pas asistimit të Nicolo Zaniolo.

Empoli, i cili renditet në pozitën e 11-të me 19 pikë, riktheu barazimin në pjesën e dytë përmes Sebastiano Esposito në minutën e 58-të nga penalltia.

Dukej se një pikë do të shkonte tek ekipi mysafir, por Charles De Ketelaere katër minuta para përfundimit të ndeshjes shënoi golin e tij të dytë dhe të tretin për fitoren e vështirë të liderit prej 3:2, pas asistimit nga Mario Pashaliq.

Atalanta vazhdon të prijë në renditjen e tabelës me 40 pikë pas 17 ndeshjes, Napoli i Amir Rrahmanit renditet i dyti me 38 pikë. Inter e Lazio renditen në pozitat tre dhe katër me 34, Fiorentina e pesta 31. Dy ndeshjet e fundit të xhiros së 17-të zhvillohen ditën e hënë Fiorentina – Udinese dhe Inter-Como 1907.

Lexo edhe

Video