Qeveria e ardhshme në Kosovë duhet të ketë prioritet raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë ish-diplomati, Avni Spahiu.
Spahiu, i cili ka qenë ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë për KosovaPress, se institucionet kosovare duhet të angazhojnë kompani të fuqishme lobuese në ShBA për thellim të bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve. Ai thotë se aktualisht raportet Kosovë-ShBA janë të lënduara, mirëpo që mund të riparohen.
Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, në disa raste është kritikuar nga zyrtarë të lartë amerikanë në lidhje me veprimet e saj në veri të Kosovës.
Madje, rishtas i dërguari amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell tha se raportet Kosovë-ShBA janë në nivelin më të ulët, duke ia faturuar përgjegjësinë, kryeministrit Albin Kurti.
Ish-diplomati Spahiu në një intervistë për KosovaPress flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi, Asociacionin e komunave me shumicë serbe si dhe nevojën e formimit të një qeverie stabile.
“Nuk mendoj që jemi në një stad ku raportet janë tërësisht të rrezikuara, mendoj se janë të riparueshme, dhe mund të na shërbejnë si vërejtje që të jemi të kujdesshëm në këtë aspekt… Mendoj që kjo ka të bëjë me secilën qeveri që do të vijë, duhet të kenë përparësi marrëdhëniet me SHBA. Natyrisht kjo qeveri ekzistuese që ka qenë deri tani, ka disa obligime që pritet t’i zbatojë apo të vazhdojë procesin deri në fund që të kërkohet një farë vazhdimësie. Por çdo qeveri tjetër do të ballafaqohet me sfidat me të cilat jemi duke u ballafaquar, sidomos me Serbinë. Dhe duhet secila parti që vjen në pushtet, çfarëdo koalicioni që do të jetë, duhet t’i kushtojnë rëndësi raporteve me Amerikën, dhe përmes angazhimit tonë më të madh në Uashington, lobimit vizitave zyrtare tjera, një politikë më proaktive të Ministrisë së Jashtme dhe përfaqësuesve diplomatikë, duhet të fokusohemi me të gjitha forcat që këto raporte t’i kthejmë në nivelin që kanë qenë në të kaluarën”, thotë Spahiu.

Megjithatë, ai deklaron se edhe qeveria duhet të jetë e kujdesshme në raport me ShBA-në, sidomos tani me Administratën Trump.
Sipas tij, qeveritë në Kosovë kanë bërë gabime të vogla në raport me ShBA-në, duke humbur kredibilitetin e partneritetit.
“Qeveritë tona kanë bërë gabime të vogla kohë pas kohe në këto raporte, dhe pikërisht këto mund të mbjellin rezerva të partnerit tonë që fillojnë të humbim kredibiletin. Humbja e kredibiletit do të thotë defokusim i vëmendjes, dhe kjo për një vend që ende nuk është konsoliduar plotësisht, dhe me një sovranitet që ende nuk është i plotë, nuk është diçka pozitive, por duhet të bërë përpjekje që të kemi vëmendjen dhe ndihmën e Uashingtonit në këto aspekte…Kemi pasur disa gjëra që mund t’i konsiderojmë si gabime dhe shpresojmë që të mësojmë prej tyre. Kemi pasur raste që shumë oferta të Uashingtonit nuk i kemi marrë seriozisht, edhe në aspektin ekonomik, kemi pasur disa raste në vend që t’i forcojmë raportet edhe ekonomike me ShBA, në aspektin politik sidomos në aspektin e bisedimeve me Serbinë, disa lëvizje që i kemi bërë nuk kanë qenë plotësisht në koordinim me partnerin tonë kryesor. Dhe mendoj që kjo ka ndikuar në ftohje të raporteve”, shton ai.
Në raport me dialogun Kosovë-Serbi, ish-diplomati Spahiu, thotë se ka një momentum të ri dhe se tani me lidershipin e ri në BE dhe ShBA duhet të shihet se çfarë kahje do të marrë ky proces.
Megjithatë, ai thotë se Kosova nuk duhet të pranojë të zbatojë diçka në mënyrë unilaterale pa marrë garanci të forta si nga Serbia po ashtu edhe nga ndërkombëtarët.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, mirëpo që ende nuk kanë nisur zbatimin e saj.
Në këtë ujdi përfshihet edhe themelimi i Asociacionit, mirëpo Spahiu thotë se në këtë moment kjo temë duhet të pushojë, pasi tani Kosova nuk duhet të themelojë të njëjtin.
“Mendoj që kemi një momentum të ri. Mendoj që ky proces i negocimit apo bisedimet për normalizim me Serbinë do të pësojnë një ndryshim, tani do të shohim se cilat do të jenë kahjet do të marrë, por çështjet që deri më tani janë diskutuar, kanë qenë deri në atë agjendë do të mund të ndryshojnë. Për shembull, çështja e Asociacionit, tani mendoj që po krijon rrethana të reja. Është gjithnjë e më jokredibile në aspekt me Serbinë, se ajo do të pranonte madje sikur ky Asociacion të formohej pa asnjë kusht nga Kosova. Ne nuk mund të pranojmë diçka i cili shoqërohet me paqartësi dhe refuzim kategorik të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës… Çështja e Asociacionit në këtë moment duhet të pushojë. Nuk mendoj që tani Kosova do të duhej të bëjë në mënyrë unilaterale të themeloj këtë pa asnjë garanci as nga bashkësia ndërkombëtare por as nga ana e Serbisë”, deklaron ai.
Për të pasur sukses në arenën ndërkombëtare dhe fuqizim të shtetësisë së Kosovës, Spahiu thotë se Kosovës i duhet një qeveri stabile pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Është vështirë, siç po shohim duhet të ketë problem në atë aspekt, ndonëse nëse kemi një partneritet të fort me partitë tjera, të jenë të paktën dy aktor që do të krijonin një shumicë dhe një qeveri të fortë, kjo do të ishte zgjidhja më e mirë, përndryshe do një qeveri e dobët nuk premton shumë dhe mund të paraqes problem për të ardhmen”, thekson Spahiu.
/KosovaPress/