Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka komentuar tragjedinë e natës së kaluar në të cilën 28 persona kanë gjetur vdekjen nga përplasja e një avioni të pasagjerëve të American Airlines dhe një helikopteri të ushtrisë amerikane Black Hawk.
Avioni dhe helikopteri u përplasën në ajër dhe u rrëzuan në lumin Potomac pranë Aeroportit Kombëtar të Uashingtonit “Reagan”.
“Helikopteri ishte në vendin e gabuar në kohën e gabuar dhe ndodhi një tragjedi,” tha Trump në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të enjten.
Ai tha se vendi ishte “në zi”, teksa përshëndeti operacionin e kërkim-shpëtimit në të gjitha nivelet dhe deklaroi se nuk ka të mbijetuar.
“Kjo me të vërtetë ka tronditur shumë njerëz, përfshirë njerëz nga kombet e tjera, për fat të keq”, tha Trump.
Ai shtoi se në aeroplan kishte rusë, por nuk përmendi kombësi të tjera. Ai tha se ka “ide” dhe teori për atë që ndodhi, megjithëse pranoi se hetimi është ende në fazat e hershme.
“Ne nuk e dinim se çfarë çoi në aksident, por ne kemi mendime dhe ide të forta… Ne do të zbulojmë se si ndodhi kjo fatkeqësi dhe do të sigurohemi që asgjë e tillë të mos ndodhë më kurrë,” shtoi presidenti.
Trump gjithashtu sulmoi kundërshtarët e tij politikë, këtë herë Barack Obama, për gjoja se kishte punësuar personel “mediokër” për punë të kontrollit të trafikut ajror që kërkojnë “inteligjencë të nivelit të lartë”, raporton BBC.
Avioni i pasagjerëve i përfshirë në një përplasje vdekjeprurëse pranë Uashingtonit u ngrit nga Wichita, Kansas, pa asnjë problem, tha drejtori i aeroporteve të qytetit, Jesse Romo.
“Në dijeninë tonë, gjithçka shkoi normalisht”, u tha Romo gazetarëve gjatë një konference për shtyp, duke shtuar: “Pra, nuk kishte anomali në operacion”.
Njerëzit që planifikojnë të fluturojnë nga Wichita në Aeroportin Kombëtar të Reganit këtë javë duhet të kontrollojnë me American Airlines për situatën aktuale, shtoi Romo.
Kongresisti Ron Estes nga Wichita komentoi rrugën e marrë nga fluturimi i American Airlines nga Wichita, Kansas, në Uashington. Ai konfirmoi se linja funksionon prej një viti. Ai tha se zbarkimi në aeroport kërkon pilotë të aftë, pasi ka “kthesa” kur largohen nga aeroporti.
Kryebashkiakia e Wichitas Lily Wu tha në një konferencë për shtyp se nuk ka të mbijetuar dhe se 28 trupa të pajetë janë gjetur.
“Kjo është një tragjedi e tmerrshme që do të bashkojë përgjithmonë ata në Uashington dhe Wichita,” tha ajo.
Drejtori i Përgjithshëm i American Airlines, Robert Isom tha se dy pilotët në aeroplan ishin me përvojë dhe kishin shumë orë kohë fluturimi.