Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një person i kërkuar për veprën penale tentim vrasje e cila ka ndodhur më 7 mars në rrugën “Fahri Fazliu”, në Prishtinë.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Prishtinë, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në rajonin e Prishtinës, dhe kjo duke punuar me vendosmëri dhe përkushtim për kapjen e personave që dyshohen të jenë të implikuar në veprimtari kriminale, dokumentimin ligjor të veprimeve të tyre kriminale si dhe vënien e tyre para drejtësisë”, thuhet në njoftim, raporton KosovaPress.
Si rrjedhojë e këtyre angazhimeve, mbrëmë nga njësiti i hetimeve të përgjithshme, është siguruar prezenca e personit të dyshuar.
“O.A, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, ( i dyshuari i dytë), të cilit i është sekuestruar një armë zjarri. I dyshuari ka qenë në kërkim nga ana e policisë, për një rast tentim vrasje që ka ndodhur me datën 07.03.2025, në rrugën “Fahri Fazliu“, në Prishtinë. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, i dyshuari me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Policia e Kosovës.
/KosovaPress/