Sot, në regjionin e Mitrovicës është arrestuar një grua, për shkak të dyshimit të bazuar, se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Spiunazhi”.
Lidhur me këtë, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka dhënë detaje, duke thënë se personi i arrestuar është i gjinisë femërore, dhe sipas tij, dyshohet për një aktivitet kriminal, raporton KosovaPress.
“Pak më parë kemi marrë një informacion se një person i gjinisë femërore është arrestuar në pikën kufitare, për shkak që ka qenë e dyshimtë, për një aktivitet kriminal, edhe e njëjta do të përcillet për procedurë të mëtutjeshme nga prokuroia speciale”, theksoi Hoxha gjatë një konference për media.
Po ashtu edhe Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) njofton se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, sot në mbrëmje, në regjionin e Mitrovicës ka arrestuar një person, për shkak të dyshimit të bazuar, se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Spiunazhi”, nga neni 124 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
“E njëjta, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale është ndaluar prej 48 orësh dhe për momentin nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke u kryer bastisje në banesën e të dyshuarës, me qëllim të sigurimit edhe të provave tjera material”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, sipas njoftimit të Prokurorisë, prokurori i shtetit, ndaj të dyshuarës do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.