Arrestimi i Veliajt, ky është komenti i Ramës

Arrestimi i Veliajt, ky është komenti i Ramës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e cilësoi si “minimalisht të çuditshëm” procesin hetimor, ndaj kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i nisur sipas tij, nga një novele anonime dorëzuar në shkurtin e kaluar në SPAK që ka pjellë një roman 400 faqesh.

Duke iu përgjigjur drejtpërdrejt pyetjeve të qytetarëve, në rubrikën “Sy m’sy”, në rrjetet sociale, Rama tha se autorët e veshur me pushtetin e drejtësisë kanë arritur që edhe nënën e një fëmije 6 vjeç ta dënojnë me arrest shtëpie.

“Këtu bëhet fjalë për një proces hetimor të çuditshëm për ta thënë minimalisht, shumë të çuditshëm, i nisur nga një novelë pafundësi fletësh, novelë anonime, dorëzuar në shkurtin e kaluar në SPAK, që ka pjellë një roman 400 faqesh afërsisht, ku autorët e veshur me pushtetin e drejtësisë, prokurorët, gjykatësit paraprak bashkë, kanë arritur që edhe nënë të një fëmije 6 vjeç ta dënojnë me arrest shtëpie, pasi babain e kanë çuar në parapaburgim”, deklaroi Rama.

Kryeministri shtroi pyetjen se kush do të kujdeset për të çuar këtë fëmijë në shkollë dhe për ta ushqyer ndërsa theksoi se ka raste të tjera që janë trajtuar ndryshe dhe nëna është hetuar në gjendje të lirë.

“Pyetja që lind është fare e thjeshtë, jo vetëm kush e çon dhe merr këtë fëmijë nga shkolla, por kush dhe si i jep këtij fëmijë për të ngrënë e kështu me radhë”, vijoi kryeministri.


Sipas kryeministrit, teoria që kanë njerëzit është për t’u diskutuar.

“Nuk dua të zgjatem, por vetëm ky fakt, sepse kemi pasur raste të tjera, ku me të drejtë një nëne me fëmijë nuk i është privuar liria, ndërkohë që ndiqet në gjendje të lirë dhe jo me fëmijë 6 vjeç. Kemi pasur dhe raste të tjera që për një mijë e një arsye, që janë trajtuar ndryshëm”, tha Rama.

Pra mungesa e këtij uniformiteti dhe fakti që merret dhe trajtohen si kriminelët e kriminelëve kryetari i bashkisë dhe e shoqja dhe fëmija 6 vjeç në mes, vijoi ai, është e një peshe të atillë që nuk duhet folur asnjë fjalë më shumë sot, pa kuptuar se cilat janë krimet që pretendohet se janë zbuluar për ta lënë Tiranën pa kryetar bashkie.

Kryeministri deklaroi se i hoqën kokën nga shpatullat bashkisë së Tiranës, duke lënë pa drejtim një kryeqytet me 1 mijë e një punë në ditë, pa gjyq.

“Ne nuk do të ngutemi, do të mundohemi të krijojmë një opinion të konsoliduar për aktakuzën për të cilën gjykatësi ka vendosur t’i heqë kokën bashkisë së Tiranës, duke lënë pa drejtim një kryeqytet me 1 mijë e një punë në ditë pa gjyq”, theksoi kryeministri.

Lexo edhe

Video