Armët në duart e të rinjve, kërkohet veprim urgjent nga shteti pas vrasjes në Vushtrri

Një rast tragjik ndodhi mbrëmjen e së dielës në Vushtrri, ku një 19-vjeçar u vra me armë zjarri nga një bashkëmoshatar. Ky i fundit ka pranuar fajësinë gjatë dhënies së deklaratës, ndërkohë që ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarje të rëndë. Armët në duart e të rinjve po konsiderohen alarm për të gjitha institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në vend, shkruan KosovaPress.

Vrasja e të riut ndodhi në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, rreth orës 20:35, ku policia njoftoi se 19-vjeçari pësoi plagë vdekjeprurëse.

Pranimin e fajësisë nga i dyshuari e bëri të ditur të hënën për KosovaPress zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

Ai theksoi se i dyshuari për veprën penale “Vrasje e rëndë” gjendet në ndalim 48 orësh.

“Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer kjo vrasje, Prokuroria dhe policia janë duke mbledhur provat relevante në lidhje me rastin. Gjatë marrjes së deklaratës i dyshuari e ka pranuar fajësinë për vrasjen. Në afatin e paraparë ligjor prokuroria do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për këtë rast. Gjatë hetimit do të zbulohen edhe motivet që çuan në këtë ngjarje”, thuhet në përgjigjen për KosovaPress.

Avokat Skender Musa thotë se për shkak të moshës së arrestuarit, nuk mund të shqiptohet dënim maksimal.

“Kryerësi i veprës penale është i moshës së mitur, njëjtë siç është edhe i ndjeri. Në rast se vepra penale cilësohet vetëm si vrasje, atëherë dënimi parashihet prej pesë viteve e maksimumi deri në 25 vite. Ndërkaq, nëse vepra penale cilësohet si vrasje e rëndë, atëherë dënimi është prej 10 viteve e më lartë. Mirëpo nuk mund të shqiptohet dënimi kapital, nuk mund të shqiptohen dënime të përjetshme apo dënime kapitale të rënda. Në këtë fazë të procedurës është tepër herët të jepet një analizë e saktë, për shkak se nuk dihet pozicioni që ka pasur i ndjeri apo pozicioni që e ka pasur kryerësi i veprës penale. Nuk dihen motivet, nuk dihet se në çfarë rrethanash ka vepruar kryerësi i veprës penale”, deklaron ai.

Institucioni i Avokatit të Popullit i tha KosovaPress-it se posedimi i armëve po rrezikon jetën e secilit person në vend.

“Armët në duart e qytetarëve vazhdojnë të rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e secilit person në vend, si dhe të cenojnë sigurinë dhe qetësinë publike, dhe ky është një alarm për të gjitha institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në vend. Të gjitha institucionet përgjegjëse dhe kompetente në Republikën e Kosovës, duhet të marrin veprime në ashpërsimin e masave kundër armëmbajtjes pa leje në tërë vendin, veprim të cilin duhet ta konsiderojnë si veprim urgjent dhe të domosdoshëm”, thuhet në përgjigjen e Institucionit të Avokatit të Popullit.

Policia tha në shtëpinë e të dyshuarit është realizuar bastisje ku është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë e gjatë me pesë fishekë. Ndërkaq, në vendin e ngjarjes policia ka gjetur tri gëzhoja dhe ka konfiskuar një revole që dyshohet se është përdorur nga i dyshuari për kryerjen e veprës, raporton KosovaPress.

Personi i cili ka poseduar armën e cila u shfrytëzua mbrëmë për vrasje, sipas drejtorit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli, duhet të jap përgjegjësi.


“Është me rëndësi që derisa problemi i armëve pa leje është problem të zgjidhet si i tillë, për shkak se është vështirë që institucionet të mbledhin gjithë ato armë. Ajo që duhet të bëhet nga ana e institucioneve është që të punohet me më shumë të rinj për të adresuar problemin e dhunës”, thotë ai.

Sipas tij, duhet të krijohen mekanizma të duhur që trajtojnë parandalimin e këtyre rasteve.

“Policinë nuk duhet ta shohim si instancë e fundit e parandalimit, por duhet ta kemi një bashkëpunim mes komunitetit dhe një pale, në këtë rast Policisë, apo mekanizmave rajonal apo taskforca të ndryshme që mund të krijohen nëpër komuna që do të merreshin me identifikimin e këtyre problemeve”, shton ai.

Rastin tragjik që ndodhi mbrëmë në Vushtrri e konsideron alarm për vendin edhe sociologu Labinot Konushevci, përcjellë KosovaPress.

Po dështon sistemi i arsimit publik për të krijuar një kulturë më emancipuese e cila do të parandalonte këto vrasje. Vrasja është një fenomen jashtëzakonisht shqetësues që ndodhë më shumë në ato shoqëri ku mungon kontrolli shoqëror dhe institucional. Pra, një shoqëri e frustruar, një shoqëri e cila nuk e ka komunikimin si mjet për zgjidhjen e problemit”, thotë ai.

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka reaguar pas vrasjes tragjike, duke kërkuar që të zbardhet sa më parë ky rast.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbuluar motivet që çuan në këtë ngjarje tragjike./Sh.Pajaziti

https://kosovapress.com/vrasje-ne-vushtrri

https://kosovapress.com/arrestohet-i-dyshuari-per-vrasjen-e-rende-ne-vushtrri

https://kosovapress.com/i-dyshuari-per-vrasjen-ne-vushtrri-e-pranon-fajesine

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim

/KosovaPress/

Lexo edhe

Video