Arbnor Morina, trajner futbolli me licensën UEFA PRO, në një intervistë në emisionin ‘’Me Kast’’ në Glam Radio ka thënë se futbollistët e rinj duhet të zhvillohen hap pas hapi, duke kujtuar kështu fillimet e tij të para dhe sakrificat për t’u bërë futbollist i madh.
‘’Si futbollist, si fëmijë, kemi mbledhë topa pas portës dhe nuk është marre me thënë se unë jam stërvitë edhe kam luajtur me juniorë por kam shku në ndeshjet e seniorëve dhe kam mbledhë topa pas portës për Canën, për Vokrrin, Sinanin, Domin’’ – duke treguar pasionin e madh që kishte për futbollin që në moshë krejt të re.
Morina më tutje thotë se duhet të ndryshohet mendësia e prindërve të rinj.
‘’Fëmija nuk është thes i parave që ka me i zgjidhë problemet financiare të nje familje. Unë shpesh ju them prindërve që kërkojnë këshilla, kur më thonë po e dërgoj djalin në filan klubi në Evropë, se a je i bindur që djali juaj i ka kaluar të gjitha testet për me qenë i pjekur me e bo një testim atje’’ – tha Morina.
Sipas Morinës duhet të pranohet fakti që nga shumë fëmijë mund të nxjerren disa talente të veçanta e të tjerët duhet të jenë pjesë e shëndoshë e kësaj shoqërie që merren me sport por bëhen edhe profesionistë të fushave tjera.
I pyetur për kohën kur ai ka synuar të bëhet futbollist, Morina tregon për vështirësitë e asaj kohe.
‘’Së pari ka qenë konkurencë shumë e fortë, ka qenë Fadil Muriqi, Agim Cana, një vrapues që edhe sot pak ka si ai, Ramadan Cimi ka qenë futbollistë që edhe me këmbën e majtë edhe të djathtën ta ka gjujtë topin në sy prej 60 metrave pa pikë problemi edhe loja e tij ka qenë intelegjente. Konkurenca ka qenë shumë e fortë e mua më kanë kthy në mbrojtje, shumë lojtarë e kanë kry karrierën duke mos dashtë me ndrru pozitën, unë kam pranuar me lujt sepse dëshira ime e madhe ka qenë me hy në ekipin e madh të Prishtinës dhe me u dëshmu’’ – tha Morina.
Morina thotë se bindja ndaj trajnerit është rrugë drejt suksesit, ndërsa vë në theks faktin që edhe futbolli i vajzave ka një zhvillim të madh.
‘’Futbolli i femrave ka marrë hov të madh, në botë kemi kombëtare që luajnë aq mirë sa i bëjnë ballë edhe djemve në disa shtete. Futbolli në Kosovë po zhvillohet me hapa të mëdhenj, kemi ekipe të femnave që kanë lujt në ligë të kampionëve, kemi futbolliste të huaja që kanë luajtë ne kampionatin tone” – thotë ai.
Ndërsa tha se problemet financiare që kanë shoqëruar klubet për vite me rradhë janë zgjidhur në masë të madhe.
‘’Ana financiare është rregulluar në masë të madhe është një lehtësim i madh, mbetet ana tjetër e infrastrukturës, sepse të jemi të sinqertë klubet nuk munden edhe me mbajtë futbollistë, edhe trajnera, edhe të investojnë ne infrastrukturë’’.
Madje thotë se me investime publiko-private situata mund të përmirësohet më shumë. Ndërsa për lëvizjet e shpeshta të trajnerëve nga një klub në tjetrin, Morina ka një përgjigje.
‘’Për trajnerët thonë se rezultati e mban trajnerin, nuk është ashtu, varet cfarë ambicie ka klubi dhe si realizohen. Tash është një trend me ardhë trajnerat nga jashtë edhe ata nuk po qëndrojnë gjatë, trajnerat e Kosovës e bëjnë punën mirë, shpesh kryesitë e klubeve nuk e kanë sensin me prit me u realizu një pjesë e punës që është paraparë”.
Sipas Morinës nëse Liverpooli ka pritur 30 vjet për titull pse të mos punohet mirë e të fitohen titujt.
Më tutje, Arbnor Morina thotë se duhet të ketë edukim sportiv e shëndetësorë në shkolla në mënyrë që të rriten gjenerata të edukuara e të shëndetshme.
‘’Nëse neve na dalin rezultatet që fëmijët tanë kanë skoliozë nga çanta, ne duhet të shtojmë një orë të edukatës fizikës’’ – tha ai.
Sa i takon diskutimit të famshëm se cili nga futbollistët që dominuan futbollin botëror në dy dekadat e fundit, Messi apo Ronaldo është më cilësor dhe cili është “më i miri i të gjitha kohërave”, trajneri Arbnor Morina u tregua profesional duke thënë se janë të ndryshëm nga njeri-tjetri, duke vendosur në pahë aftësitë e të dyve si futollistë të kalibrit të lartë që gjithsesi zënë vende meritore në historinë e futbollit ndër vite, veçanërisht atij modern.