Vladimir Putin ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Mohamed bin Zayed Al Nahyan, gjatë së cilës presidenti rus e falënderoi atë për ndërmjetësimin në shkëmbimin e të burgosurve me Ukrainën, thuhet në njoftimin e Kremlinit.
Ata gjithashtu diskutuan për bisedimet ruso-amerikane mbi Ukrainën, sipas deklaratës të raportuar nga agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti, raporton BBC.
“Presidenti i EBA-së mbështeti përpjekjet e ndërmarra nga Rusia dhe SHBA dhe veçanërisht mirëpriti konsultimet midis grupeve të ekspertëve në Riad sot”, tha RIA Novosti.
Në shembullin më të fundit të ndërmjetësimit të EBA-së, Ukraina dhe Rusia shkëmbyen 175 të burgosur të luftës secila më 19 mars. Në total, EBA thotë se rreth 3,000 të burgosur të luftës janë shkëmbyer nga të dyja vendet me ndërmjetësimin e saj.