Gjykata e Apelit e Kosovës sot ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ish-kryeshefin e Korporatës Energjetike të Koosvës (KEK), Nagip Krasniqi. Apeli ka refuzuar ankesën e mbrojtësit të Krasniqit dhe ka konfirmuar aktvendimin e datës 05 dhjetor 2024, raporton KosovaPress.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin PS.nr.67/24, të datës 05.12.2024, i ka refuzuar si të pabazuara kërkesën për hedhjen të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurit N.K., kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, PPS.nr.40/2023, të datës 19.08.2024, në të cilën i pandehuri i lartcekur akuzohet për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdimësi, nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 të KPRK”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit, transmeton KosovaPress.
Po ashtu Apeli ka vlerësuar aktvendimin e ankimuar dhe ka konstatuar se i njëjti nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale apo shkelje tjera të cilat do ta kushtëzonin anulimin e aktvendimit.
Gjithashtu, kolegji gjykues ka vlerësuar se nuk ka asnjë provë që mund të konsiderohet e papranueshme ose që është mbledhur në kundërshtim me dispozitat ligjore, si dhe nuk janë identifikuar asnjëra prej bazave ligjore që mund të justifikonin përjashtimin e provave.
Ndryshe, Prokuroria Speciale më 19 gusht 2024, e kishte ngritur aktakuzën për Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.