Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që nga 9 shkurti, dita kur janë mbajtur zgjedhjet parlamentare në Kosovë, e deri tani, po vazhdon të kritikohet për keqmenaxhim të procesit, mostransparencë dhe zvarritje.
KQZ-së i dështoi uebi në ditën e zgjedhjeve, dhe kjo ngriti dyshime te qytetarët, pasi një pjesë e votave u numërua, por nuk u procesuan në ueb. Kutitë e atyre votave u bartën në qendrën e numërimit në Prishtinë. Ndërkohë, uebi i KQZ-së vazhdonte të mos hapej, apo edhe të mos bëhej freskimi i të dhënave.
Numërimi në qendrat komunale mori disa ditë derisa nisi, ndërkohë që edhe procesi i numërimit shkonte ngadalë. Aktualisht janë në përfundim numërimi i votave të diasporës dhe pastaj do të nisë numërimi i votave me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara. KQZ-ja është arsyetuar për afatet duke marrë shembull nga zgjedhjet e mëhershme, megjithatë, organizatat që mbikëqyrin procesin thonë se ky proces do të duhej të avanconte dhe jo të bëheshin krahasime me vitet e mëhershme.
KosovaPress, nëpërmjet një ankete të publikuar më 1 mars e deri sot, ka pyetur edhe qytetarët se a janë të kënaqur me punën e KQZ-së në këto zgjedhje. Janë 94 përqind e respondentëve që kanë votuar me “jo”, 5 përqind janë të kënaqur me punën e KQZ-së dhe 1 përqind nuk e dinë.

Ndërkohë, në shumicën e komenteve ata kanë kritikuar punën e KQZ-së. Disa thonë “dallavergji”, të tjerë dyshojnë se gjatë numërimit është bërë një hajni e madhe.
Arben Islami ka shkruar se KQZ është dështim total, pasi Gjermanët i bënë zgjedhjet dhe i numëruan votat për vetëm 6 orë.
Besnik Shabani ka shkruar se me 700 mijë vota janë bërë gazi i botës.
Bashkim Hashani i ka quajtur rrenca që e ndalën internetin me qëllim që të ndalen serverat dhe para se të ndaleshin serverat, 38% ishte LVV.