Al Trade hap pikën e saj të 13-të në Fushë Kosovë

Korporata Al Trade Center ka hapur pikën e saj të 13-të në Fushë Kosovë, një hap i ri në shërbimin ndaj klientëve të saj. Ky lokal ofron një gamë të gjerë materialesh për ndërtim, mjete elektrike, vegla për kopshtari, sisteme uji dhe për ngrohje. Kjo pikë e re ofron një mundësi e shkëlqyer për ata që kërkojnë produkte të cilësisë së lartë për çdo projekt, qoftë ai për ndërtim, mirëmbajtje apo rregullim të hapësirave të jashtme.

Përveç kësaj, me hapjen e kësaj pike janë punësuar 35 punëtorë të përkushtuar, duke siguruar që çdo klient të marrë këshillat dhe shërbimin e duhur për çdo pyetje ose nevojë që mund të ketë, raporton KosovaPress.

Me rastin e inaugurimit të këtij lokali, Al Trade ofron zbritje dhe çmime të arsyeshme të artikujve të ndryshëm për konsumatorët.

Drejtori i korporatës Al Trade Center , Sokol Gashani shprehu mirënjohje dhe falënderoi të gjithë punëtorët që kanë kontribuar në sukseset e një pas njëshme të kësaj kompanie.

Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunëtorëve dhe klientëve për të arritur deri te ky i hap i rëndësishëm, inaugurimi i një pike të re të Al Trades.

“Për të qenë bashkë këtu është dashur të bashkudhëtojmë dhe këtë bashkëudhëtim e bënë të veçantë sukseset tona sikur dita e sotme. Me modesti e mirënjohje e them faleminderit secilit puntor që bashkë kemi kontribuar për të qenë këtu ku jemi. Sot edhe pse fjalëve u mungon fuqia, dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim që për 26 vite nuk na keni lënë vetëm ju klientë e bashkëpunëtorë që bashkërrugëtuat me ne në sukseset tona…Dua ta mbyll fjalimin tim me disa fjalë të urta ‘Urtësia thotë që nëse nuk punojnë këmbët, nuk duhet të ngecim por me zemër të ecim’…Ecja me zemër tuaj sot është dëshmia më e mirë e këtij takimi tonë në këtë ngjarje’, tha Gashani.

Ndërkaq, menaxheri i përgjithshëm i Al Trade Center, Avni Hoti potencoi se kjo pikë e re do të plotësojë kërkesat dhe nevojat e konsumatorëve në gjithë Kosovës.


Ai tregoi edhe për çmimet e arsyeshme dhe zbritjet në këtë lokal.

“Kompania jonë sot e ka një ditë gëzimi siç edhe po shihet po na nderojnë të gjithë miqtë, shokët parterët tonë. Në këtë ditë të veçantë tonën , po e hapim pikën më të re në Fushë Kosovë. Një pikë e cila po besoj që do t’i plotësojë kërkesat, nevojat e konsumatorëve të qytetarëve të Kosovës, e veçanërisht të Fushë Kosovës…Ky lokal që po hapet sot ofron llojshmëri të artikujve, duke filluar nga veglat e punës, materialet të elektrikës, të kopshtit, të ujësjellësit, ngrohjes, ventilimit, meremetimi dhe sektorët e tjerë. Do t’iu ofrojmë çmime, zbritje dhe oferta të ndryshme në këtë ditë të veçantë tonën”, tha Hoti.

Në ceremoninë hapëse, nënkryetari i komunës në Fushë Kosovë, Besnik Osmani u shpreh i lumtur për investimin serioz të kompanisë Al Trade.

“Të gjithë ne duam që të kemi shkolla më të mira, shëndet më të mirë, rrugë më të mira, por kjo pa ekonomi nuk bëhet. Ekonomia pa njerëz të mençur e të guximshëm që investojnë nuk bëhet. Njëra prej tyre në komunë tonë është Al Trade. Janë kompani që në anën tjetër të rrugës njerëzit mund të marrin banesa dhe mund të krijojnë familje e tyre. Ndërsa, në anën tjetër të rrugës mund ta kenë një vend të punës që trajtohen dinjitetshëm, ku ndihen si në familjen e tyre. Ne si komunë jemi shumë të lumtur qe kemi këtë lloj investimi kaq serioz dhe njerëzit të biznesit kaq serioz që besojnë dhe investojnë në trevat dhe komunën tonë”, tha Osmani.

Ndërkaq, kryetari i Odës Amerikane Ekonomike në Kosovë, Arian Zeka tha se vendi ynë ka nevojë për investime të tilla, ku zgjerohet aktiviteti ekonomik, hapen vende të reja të punës dhe paguhen më shumë tatime në shtetin tonë, raporton KosovaPress.

“Kosova ka nevojë për aktivitete të tilla. Aktivitete si këto ku prehen shirita edhe ku hapen pika të reja. Ose ku zgjerohet aktiviteti ekonomik tregojnë që hapen vend të punës, paguhen më tepër tatime për shtetin e Kosovës. Dhe rrjedhimisht të njëjtat mund të përkthehen në shërbime më të mira dhe infrastrukturë më të mirë për çka vendi ynë ka nevojë jashtëzakonisht shumë…Prania e të gjithë parterëve në këtë ceremoni është dëshmia më e mirë e punës cilësore, besnikërisë dhe integritet të kompania Al Trade e tregon ndaj të gjithëve”, potencoi Zeka.

Në këtë lokal të ri, konsumatorët mund të gjejnë vegla për punë kopshti, elektrike dhe ndërtimi – të gjitha të dizajnuara për të përmbushur kërkesat më të larta të industrisë dhe për të realizuar çdo projekt pa asnjë pengesë. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për ata që duan të investojnë në mjete të besueshme dhe cilësore që do t’i ndihmojnë të arrijnë rezultate të shkëlqyera në çdo fushë, raporton KosovaPress.

E themeluar në vitin 1999 nga vëllezërit e familjes Gashani, Al Trade Center është një prej korporatave më serioze në vendin tonë.

Lexo edhe

Video