Akuzat dhe sharjet ndërmjet partive politike pritet të ashpërsohen në ditët e fundit të fushatës

Partitë politike do të ashpërsojnë gjuhën ndaj njëra-tjetrës në ditët e fundit të fushatës zgjedhore, thonë monitoruesit e zgjedhjeve. Sipas tyre, akuzat dhe sharjet ndërmjet partive janë intensifikuar, veçmas të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ndaj partive të tjera opozitare, sidomos LDK-së.

Fushata zgjedhore filloi më 11 janar. Në ditët e para të fushatës, kryetari i LVV-së, njëherësh kryeministri Albin Kurti shpeshherë ka thumbuar dy partitë LDK dhe PDK, duke i quajtur si “zuzar” dhe të lodhura.

Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës(KDI), Eugen Cakolli, thotë për KosovaPress, se sa më shumë që afrohet periudha përmbyllëse e fushatës, do të ketë akuza më të ashpra në mes partive politike.

Ai shton se në ditët e para të fushatës është vërejtur gjuhë acaruese, fyese dhe shpeshherë edhe me presima të gjuhës së urrejtjes.


Megjithatë, Cakolli thekson se deri tash temat që janë mbuluar kanë qenë ato që ngjallin ndjeshmëri te qytetarët, ku përfshihen zhvillimi ekonomik, shëndetësia, arsimi dhe çështja e pagave.

Në anën tjetër, ish-kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Mazllum Baraliu, thotë se gjuha e deritanishme në fushatën zgjedhuara ka qenë në kuadër të së lejuarës me përjashtime, siç thotë ai të vogla.

Mirëpo, sipas tij, fushata do të ashpërsohet në ditët në vijim, sidomos kur afrohet fundi i fushatës zgjedhore.  

Fushata zgjedhore do të zgjasë deri në orën 07:00 të ditës së zgjedhjeve më 9 shkurt.

Lexo edhe

Video