“Korrupsion”, “Mashtrues”, “Autokratë”, “Përçarës”, janë vetëm disa prej akuzave që politikanët i bënë në drejtim të njëri-tjetrit në ditën e shtatëmbëdhjetë të fushatës zgjedhore.
Krahas premtimeve, që kryesisht prekin mirëqenien e qytetarëve, ata që synojnë pozitën e shefit të ekzekutivit, siç veprojnë zakonisht, një pjesë të fjalimit ia kushtuan kundërshtarëve politikë, raporton KosovaPress.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri aktual, Albin Kurti, gjatë një tubimi të mbajtur në Drenas, akuzoi për korrupsion partitë opozitare duke thënë se ato tashmë “i ka ndarë paraja”.
“Jemi duke i hequr qafe, duke i pensionuar, duke i eliminuar nga skena e pushtetit politikanët, himni i të cilëve nuk është rreth flamurit të përbashkuar, por rreth korrupsionit të përbashkuar. Të dashur qytetarë të Drenasit, ata i ka bashkuar korrupsioni, por a e dini çka, ata i ka nda paraja, tash janë duke u përçarë, sepse e paraja, materialja nuk i bashkon njerëzit i ndan njerëzit, idealja shpirtërorja, që është bashkë të lëvizja jonë të koalicioni jonë, që ka qeverisë mirë për vjet e do të qeverisë edhe 4 tjera pas 9 shkurtit, njerëzit bëhen bashkë. Neve na bënë bashkë shpirti kombëtar, dhe ideali i dasmorëve, ata po i ndan e përçan paraja e plaçkitur dhe e zhvatur nga korrupsioni i tyre i përbashkët. Prandaj. ata që ishin të pabesë, janë bërë edhe të pashpresë”, tha ai.
Tubimi i LVV-së në Drenas u mbajt pas atij në Skenderaj. Në këtë të fundit, u hodhën mjete piroteknike pranë vendit ku u mbajt tubimi, për çka intervenoi edhe policia.
Në anën tjetër, kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka vizituar Qendrën Inovative ICK ku ka premtuar mbështetje inovative dhe digjitale.
“Fondi për Garantimin e Kredive do të rritet. Kapitali do të rritet, do të zgjerohet fushëveprimtaria e këtij fondi. Për shkak se vajzat edhe djemtë e rinj mund të kenë ide të mira, ide inovative, kualifikime të duhura, mirëpo u mungon historiku në banka apo u mungon kolaterali, bankat nuk i financojnë. Ne e shohim këtë [fushën e IT-së] si diçka tepër pozitive, tepër të nevojshme dhe kemi me i përkrah edhe përmes granteve, edhe përmes lehtësirave të ndryshme, në mënyrë që ne të kemi sa më shumë njerëz që merren me këtë fushë”, ka thënë Hamza.
Ndërkaq, kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë një tubimi në Ferizaj tha se “demokracia po provohet të shtypet nga autokratë në bërje”.
“Kjo demokraci po shtypet, po provohet të shtypet nga autokratë në bërje, po shtypet nga përçarësit e ndarësit, kjo vlerë po shtypet nga ata që dije të vetme e kanë sharjen, ndjenje të vetme e kanë mllefin, e projeksion të vetëm e kanë urrejtjen. E mbi të gjitha kjo vlerë e jona po shtypet nga të majtit që sërish na janë bërë bashkë, na u bënë bashkë edhe sot, janë bërë bashkë me plot helm e vrerë, me plot urrejtje ndaj Lëvizjes më të madhe për liri, pavarësi, e demokraci, si dikur, si sot, gjith njëjtë, të pandryshueshëm nëpër kohë. Por të jua kujtojmë se ne jemi pasardhësit e rezistencës, jemi pasardhësit e qëndresës, jemi pasardhësit e Ibrahim Rugovës. Jemi tjetër nivel. Prandaj do të fitojmë sot siç kemi fituar atëherë, sa më të bashkuar kundërshtarët urrejtës tanë, sa më të përafërt anti-rugovistët, aq më e madhe, aq me fortë mbështetja popullore ndaj LDK-së, sepse popullit po flet”, tha ai.
E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese, Ramush Haradinaj qeverinë i akuzoi si “mashtrues” dhe sipas tij, sjellja e qeverisë ndaj qytetarëve nuk është në rregull.
“Si mund të hesht, si mos me u thënë këtyre mashtrues, ai kur ka ardhur të ju marr votën ju ka bërë be në çdo gjë, bile në Llap ju thoshte pasha Kuranin, pasha qetapet, pastaj prindi një prindi dy, ju lutmë nuk mund të hesht, nuk do të isha unë, sjellja e kësaj qeverie nuk është në rregull dhe këtij kryeministri me popullin e vet. Nuk jam prej atyre që pres në rend i fundit për me shpreh mospajtim, sepse për ashtu nuk më kish ardhur rendi të luftoj, unë kur e shoh që nuk është në rregull me ditë që rrotullohet, pa i thënë nuk e ke mirë nuk e lë. Autostrada duhet të shkojë të Dheu i bardhë dhe duhet të kryhet deri në Gjilan për 1 vit, pjesa tjetër deri të Dheu i bardhë nuk guxon të shkojë më shumë se 2 vjet”, tha Haradinaj.
Kandidatët për kryeministër qysh në fillim të fushatës, gjatë tubimeve nëpër komuna të ndryshme, u përqendruan në kritika e akuza.
Fushatë zgjedhore ka mbetur më pak se dy javë, ndërkaq, qytetarët e Kosovës votojnë më 9 shkurt – në zgjedhjet e para të rregullta që prej shpalljes së pavarësisë më 2008./KosovaPress