Bordi i drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në mbledhjen e fundit të mbajtur i ka ndryshuar aktet nënligjore lidhur me shitjet me tender publik. Ndryshimet janë bërë me qëllim të rritjes së transparencës dhe efikasitetit në procesin e tenderimit dhe shitjes së aseteve. Sipas rregulloreve të ndryshuara, me rastin e shpalljes së shitjeve (SHAL) të ardhshme, në dokumentet e tenderit dhe në faqen elektronike zyrtare të Agjencisë, do të publikohen edhe dy informata shtesë për asetet në shitje: Kategoria e aseteve të shpallura për shitje dhe çmimi minimal i shitjes së aseteve.
“Publikimi i kategorisë së aseteve të shpallura për shitje: Gjatë publikimit të valëve të reja të shitjes së aseteve, për çdo aset / pronë që shitet do të përfshihet kategoria e asetit. Në dokumentin informues do të shpaloset kategoria: i) pronë bujqësore, ii) pronë rezidenciale, iii) pronë komerciale, apo iv) pronë industriale. Kriteret për kategorizimin e pronave janë: i) shfrytëzimi aktual, dhe ii) shfrytëzimi potencial i pronës në të ardhmen. Kategorizimi i aseteve do të shërbej vetëm për qëllime të përcaktimit të çmimit minimal për shitjen e tyre dhe nuk do të ketë asnjë efekt tjetër në ndryshimin e kategorisë së aseteve në regjistrat e kadastrave”, thuhet në komunikatë.
Sipas AKP-së: “Publikimi i çmimit minimal i shitjes së aseteve: Ndryshimi i dytë ka të bëjë me atë që për çdo aset/pronë që shitet do të shpaloset për publikun informata për çmimin minimal të shitjes. Cmimi minimal nënkupton vlerën më të ulët të përcaktuar nga AKP për shitjen e një aseti. Ky çmim caktohet për të siguruar që një aset nuk shitet nën vlerën e arsyeshme. Nëse nuk ka oferta mbi këtë çmim, procesi i shitjes do të përsëritet në valën e ardhshme të shitjes. Për objekte që tenderohen, çmimi orientues prezantohet me €/m² (euro për metër), ndërsa për toka që tenderohen çmimi orientues prezantohet me €/ari (euro për ari)”.
Po ashtu AKP njofton se si çmim minimal i shitjes së aseteve do të merret vlera e pronave (sipas zonave dhe niveleve të vlerave) e përcaktuar nga Ministria e Financave, Departamenti i Tatimit në Pronë, për qëllime të tatimit në pronë. Nëse ky çmim rezulton çmim shumë i ulët, ose ku nuk ka fare vlerësim të Ministrisë së Financave, atëherë çmimi minimal do të caktohet me metodën e përllogaritjes së çmimit mesatar të shitjeve të realizuara nga AKP brenda tre (3) viteve të fundit.
Gjithashtu edhe vlera e depozitave do të përcaktohet sipas çmimeve minimal dhe atë në dy kategori: për asetet që kanë çmimin orientues deri në 100,000 € depozita do të jetë 10 % e vlerës; për asetet që kanë çmimin orientues mbi 100,000 € depoziti do të jetë 5 % e vlerës. Ndërkaq, për asetet e luajtshme depoziti përcaktohet nga Departamenti i Koordinimit Rajonal dhe Operativës.