Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), ka reaguar sot ndaj Qeverisë së Kosovës se “komunat e vendit po rrezikohen që të mos i zbatojnë projektet kapitale në vitin 2025”.
Sipas AKK-së kjo po ndodh pasi që Qeveria nuk është duke i përkrahur komunat sa i përket zbatimit të Kontratës kolektive dhe kësisoj, përveç rrezikut që komunat që të mos kenë mjete për investime kapitale, atyre u rrezikohet që t’iu mbyllen xhirollogaritë bankare dhe që shumë projekte të parapara me buxhetet komunale të mos zbatohen.
Ndërkohe, nga Qeveria e Kosovës deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk kanë kthyer përgjigje për KosovaPress lidhur me reagimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës.
“Qeveri ndalojeni kolapsimin financier të komunave dhe gjakderdhjen financiare. Komunat rrezikohen që të mos zbatojnë projekte kapitale në vitin 2025 dhe mbylljen e xhirologarive të tyre. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është duke i përkrahur komunat sa i përket zbatimit të kontratës kolektive dhe me këtë rast komunat rrezikojnë që të mos kenë mjete për investime kapitale, që t’iu mbyllen xhirollogaritë bankare dhe që shumë projekte të parapara me buxhetet komunale të mos zbatohen”, thuhet në komunikatën e Asociacionit.
Për më tepër thuhet se: “Kjo vije si pasojë e neglizhencës së insitucioneve qëndrore të cilat për disa vite nuk janë duke i marë parasysh kërkesat e komunave”.
“Që në fillim të këtij viti vetëm disa komunave iu kanë shkuar faturat mbi 35 milionë euro, ku mbi 25 milionë euro janë borxh ndaj përfituesve, ndërsa mbi 10 milionë euro janë tarifat për përmbaruesit e që me një vendim të Qeverisë apo Parlamantit të Republikës së Kosovës kjo gjakderdhja financiare që është mbi 10 milion eur të deritanishme mund të ndalohet. Këto janë mjete të taksapaguesve të Republikës së Kosovës dhe po që se Qeveria do të menaxhonte procesin si duhur, atëherë tarifat për përmbaruesit nuk do të ndodhnin”, thuhet në komunikatë.
Sipas AKK-së shumica absolute e këtyre mjeteve do i merren komunave nga projekcionet buxhetore për investime kapitale dhe që këto mjete po i merren për shkak të zbatimit të kontratave kolektive.
Në vijim sipas AKK-së janë vetëm disa komuna që kanë pranuar vetëm në vitin 2025 faturat për zbatim të kontratës kolektive: Ferizaj 9.5 milionë euro, Prizreni 5.5 milionë euro, Lipjani 3.8 milionë euro, Malisheve 2.6 milionë euro, Rahovec 2.1 milionë euro, Viti 2.1 milionë euro, Mitrovicë 1.7 milionë euro, Skenderaj 1.6 milionë euro, Kaçanik 1.5 milionë euro, Gjakova me 1.4 milionë euro dhe Suhareka 1.3 milionë euro.