Kosovarët në Gjermani nuk do të regjistrohen më si shtetas serbë

Kosovarët në Gjermani nuk do të regjistrohen më si shtetas serbë

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka bërë të ditur se bashkatdhetarët që deri më tani janë regjistruar në qytetet gjermane si shtetas të Serbisë, mund ta ndërrojnë këtë. Ambasadori Ajeti në një video mesazh ka theksuar se mërgimtarët duhet t’iu drejtohen organeve kompetente gjermane dhe të kërkojnë siç tha ai që në kategorinë e shtetësisë të largohet një herë e përgjithmonë shtetësia e Serbisë, përcjell KosovaPress.

Ambasadori Faruk Ajeti thekson se ky ndryshim vjen nga një qarkore nga Ministria Federale e Punëve të Brendshme të Gjermanisë.

Të nderuar, bashkatdhetar, më shumë se 17 vjet, qindra e mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës janë regjistruar me automatizëm në komunat e ndryshme gjermane, në mënyrë të padrejtë dhe të gabuar dhe si shtetas të Serbisë. Tani e kam kënaqësinë e veçantë të ju njoftoj se si rezultat i punës dhe angazhimit tonë diplomatik, ky problem i pazgjidhur dhe i trashëguar prej vitesh, nga sot e tutje do të marrë fund. Në vazhdën e përpjekjeve tona të pandërprera dhe komunikimeve të shumta me institucionet gjermane, përkatësisht me Kancelarin Federale, Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme, Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme dhe Ministrinë Federale të Drejtësisë, kemi kërkuar që shtetasit e Kosovës të regjistrohen vetëm si shtetas të saj dhe assesi të mos evidentohen më edhe si shtetas serbë. Jo vetëm 16 lënde gjermane, por edhe mbi 5 mijë e 200 qendra të regjistrimit civil në krejt Gjermaninë e kanë pranuar tashmë një qarkore nga ministria Federale e Punëve të Brendshme të Gjermanisë ku janë njoftuar për këtë ndryshim të rëndësishëm për shtetasit e Kosovës”, theksoi ambasadori Ajeti përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook, transmeton KosovaPress.


Ambasadori Ajeti i ka ftuar shtetasit e Kosovës që janë të prekur nga ky fenomen të drejtohen te institucionet gjermane ose t’i drejtohen ambasadës së Kosovës në Gjermani.

Ata tani e tutje do të regjistrohen vetëm si shtetas të Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve tanë me vendbanim në Gjermani dhe që janë të prekur nga ky fenomen që t’u drejtohen organeve kompetente gjermane në qytetin apo vendbanimin ku jetojnë për të bërë korrigjimin e dokumentacionit tuaj. Çfarë duhet të bëni? Duhet të kërkoni që në kategorinë e shtetësisë së dokumentacionit përkatës të largohet një herë e përgjithmonë shtetësia e Serbisë. Për informacione shtesë, lusim qytetarët e Kosovës të kontaktojnë Ambasadën tonë në Berlin apo misionin më të afërt konsullor në Gjermani. Duke shprehur keqardhje të thellë për këtë problem të trashëguar nga viti 1999 dhe që ka prekur shumë kënd prej jush, falënderojmë shtetin mik gjerman për eliminimin e këtij problemi të rëndësishëm për identitetin tonë shtetëror, theksoi ambasadori Ajeti, transmeton KosovaPress.

Ky hap shënon një arritje të rëndësishme për qytetarët e Kosovës në Gjermani, duke siguruar trajtim të drejtë dhe njohje të plotë të shtetësisë së Kosovës.

Lexo edhe

Video