Ahmet Isufi: Sërish në parlament, për siguri dhe mirëqenien e qytetarëve

Me një përvojë të pasur në krijimin e legjislacionit, Ahmet Isufi është i gatshëm të jap sërish kontributin e tij nga ulësja e deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Ai vlerëson se është i nevojshëm një angazhim i vazhdueshëm për të forcuar sistemin legjislativ në vend.

Krahas kësaj, zhvillimi ekonomik dhe anëtarësimi direkt i Kosovës në NATO, janë top prioritet e tij për të cilat thotë se do të angazhohet si deputet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Isufi, një prej figurave kryesore në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, garon me numrin 40 në listën e Koalicionit për Kosovën Fituese.

“Synoj përsëri ulësen e Parlamentit të Kosovës për shkak se në te gjitha legjislaturat që kam qenë, kam kontribuar në krijimin e legjislacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e po ashtu sidomos në sferën e sigurisë, ku kam qenë edhe kryetar i Komisionit për siguri dhe jam munduar që kontributi im të jetë evident në Parlamentin e Kosovës, për shkak se kërkohet një angazhim permanent”, deklaron Isufi në një intervistë për KosovaPress.

Në fushën e ekonomisë, ai premton zhvillimin e infrastrukturës dhe mbështetje për qytetarët.

Isufi nënvizon se do të realizohet një politikë e kontrolluar e shpërndarjes së buxhetit, duke investuar në projekte infrastrukturore dhe duke krijuar mundësi për përmirësimin e kushteve të jetesës.


Ai gjithashtu thotë se me AAK-në në pushtet do të rriten edhe pensionet dhe paga mesatare.

“Tri prioritetet tona kryesore janë siguria e vendit të cilën e kemi edhe në pikën e parë të programit tonë, e që është anëtarësimi përmes planit aksional, direkt në NATO…Po ashtu ka ndodhur edhe krijimi i ushtrisë së Kosovës, duke qenë të harmonizuar me SHBA-në dhe në këtë formë dhe në këtë mënyrë të komunikimit të drejtpërdrejt me besim të plotë, të ndërsjellë, ne e bëjmë edhe Kosovën anëtare të NATO-s, sepse është nevojë edhe e NATO-s të ketë një anëtar më shumë, që regjioni i Ballkanit të jetë më i siguruar. Poashtu e kemi sferën e ekonomisë, sepse ky vend do zhvillim, dhe nuk do të bëjmë shpërndarje të buxhetit pa kontrolle, por do të bëjmë investime infrastrukture, investime tek qytetarët dhe një angazhim permanent që jeta e qytetarëve të përmirësohet, e në veçanti do të jemi të fokusuar në politiken e jashtme e cila ka degraduar. Në vend se të rregullojmë marrëdhëniet me vendet mike, sidomos me SHBA-të, kjo qeveri i ka acaruar e që duhet riparuar…Poashtu kemi paraqitur edhe mundësinë e krijimit të një jete më të mirë të qytetarit, me 500 euro pensionin dhe me 1 mijë euro pagën mesatare ”, thekson Isufi.

Derisa kritikon qeverinë aktuale për mungesë të realizimit të premtimeve, thotë se Kosova ka stagnuar në zhvillimin e brendshëm, duke u përballur me polarizim të panevojshëm të skenës politike.

“Qytetari i Kosovës ka pritur shumë sepse premtimet kanë qenë të mëdha dhe gjitha ato premtime kanë mbetur vetëm fjalë. Në fakt, Kosova edhe në planin e brendshëm ka bërë që të mos ketë zhvillime të cilat i nevojiten Kosovës, sidomos në mirëqenien e qytetarëve dhe në krijimin e një infrastrukture më të mirë për të vazhduar, por që ka stagnuar. Në zhvillimin e brendshëm kemi një gjendje apatie dhe poashtu një polarizim shumë të madh të panevojshëm të skenës politike të cilën e ka determinuar partia në pushtet. Dhe është hera e parë që në politiken e Kosovës ndodh që pushteti të sulmojë opozitën, gjithmonë opozita është ai korrigjuesi, sulmuesi në projekte të cilat nuk realizohen ose gabimet që mund t’i bëjë qeveria. Por, që qeveria të sulmojë opozitën për shkak të paaftësisë së vet, që të ketë rezultate dhe në vend se të dalë me raporte të cilat do të ishin punë krijuese që ka mundur ta bëjë kjo qeveri, përkundrazi po i përsërit premtimet e njëjta dhe po e fyen opozitën pa nevojë”, thotë Isufi.

Në anën tjetër, Isufi përmend edhe angazhimet konkrete për Gjilanin, i cili premton përfundimin e autostradës, ndërtimin e stadiumit dhe realizimin e projekteve të tjera infrastrukturore.

Derisa nënvizon se çdo projekt që ai angazhohet për ta realizuar do të arrihet e nuk do të mbetet vetëm premtim.

“Për qytetarët e Gjilanit mund të them se autostradën do ta përfundojmë, sepse ne e kemi nisur dhe ne e përfundojmë. Do ta bëjmë stadiumin, sepse është nevojë e dy klubeve më të mëdha të cilat në Ballkan janë me tifozeri më të mirë e të zjarrët. Ne duam të lidhim edhe Preshevën e Buajnocin me Gjilanin, sepse janë bashkatdhetarët tanë të cilët kanë nevojë për një trajtim më të madh me Kosovën. Gjilani ka problem me ujëra, e që ne do ta bëjmë ujëmbledhësin, krejt këto investime janë reale, nuk janë premtim por zotim, sepse ne sa herë kemi vendosur të marrim një punë e kemi kryer…Gjilani duhet t’i jep votën Aleancës dhe Koalicionin për Kosovën Fituese për shkak se duhet t’i marrim shembull komunat të cilat i udhëheqë AAK-ja, secila më e zhvilluar se tjetra, me kryetarë të cilët janë shembull për qeverisje në nivel të Kosovës, kjo tregon se Gjilani ka nevojë të ketë qeverisje e cila e ndryshon jetën e qytetarëve për të mirë”, përfundon Isufi.

Fushata për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë ka filluar më 11 janar, ndërkaq, zgjedhjet mbahen më 9 shkurt.

Lexo edhe

Video