Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës pas vdekjes së profesorit Ahmet Qeriqi, i ka shprehu ngushëllimet familjes, miqve dhe kolegëve të tij.
Ai ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë e të gjatë.
Në telegramin e ngushëllimit të AGK-së, thuhet se humbja e Ahmet Qeriqit është një humbje e madhe jo vetëm për komunitetin mediatik, por për mbarë shoqërinë.
AGK thekson se me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit Ahmet Qeriqi, një prej themeluesve të Radios Kosova e Lirë dhe një figure të shquar të gazetarisë në vend.
“Kontributi i tij i çmuar në fushën e medias, si para ashtu edhe pas luftës, ka lënë gjurmë të thella në informimin dhe dokumentimin e zhvillimeve historike të Kosovës. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e tij. Humbja e Ahmet Qeriqit është një humbje e madhe jo vetëm për komunitetin mediatik, por për mbarë shoqërinë. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten të paharruara”, thuhet në telegram ngushëllimi.
Gjithashtu, edhe Agjencia e Lajmeve KosovaPress, u shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe miqve të Ahmet Qeriqit.
Varrimi bëhet në orën 15:00 në varrezat e Lagjes Qeriqi, në Krojmir të Drenicës.