Aeroporti i Sofjes pagëzohet me emrin Vasil Levski

Aeroporti i Sofjes pagëzohet me emrin Vasil Levski

Në një ceremoni solemne të mërkurën, aeroporti ndërkombëtar i Sofjes mori emrin “Vasil Levski”.

Kryeshefi ekzekutiv i operatorit të aeroportit “SOF Connect” Jesus Caballero, tha se “Vasil Levski nuk është vetëm një emër nga historia, ai është mishërim i shpirtit, guximit dhe kërkimit të palodhur të lirisë së Bullgarisë”.

“Aeroporti nuk është vetëm infrastrukturë. Është përshtypja e parë e një vendi, një urë lidhëse mes kombeve. Duke e emëruar aeroportin me emrin Levski, ne po i dërgojmë një mesazh botës së nderit, integritetit dhe ndjekjes së palodhshme të një të ardhmeje më të ndritshme”, tha Caballero.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Grozdan Karadzhov tha ka qenë e çuditshme pse një nga portat kryesore për në Bullgari kishte mbetur pa emër.


“Nuk ka qenë asnjëherë çështja nëse aeroporti duhet të ketë një emër, por i kujt duhet të jetë. Ndër propozimet e ndryshme ra në sy një emër – ai i Levskit. Jo vetëm sepse ai është patrioti më i shquar bullgar, por edhe sepse Levski kishte ëndrra të guximshme. Një prej tyre ishte që Bullgaria të jetë anëtare e familjes evropiane”, tha ai.

Karadzhov tha se emri i ri duhet t’i dorëzohet Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, për përditësim në regjistër, proces që zgjat deri në gjashtë muaj.  Përveç kësaj, Autoriteti Bullgar i Shërbimeve të Trafikut Ajror duhet të përditësojë regjistrat e saj elektronikë, të cilët shfaqen në ekranet e avionëve.

“Më siguruan se kjo do të bëhet brenda një muaji. Shkurtesa SOF nuk do të ndryshojë, si dhe ajo në ICAO”, tha Karadzhov.

Me një dekret presidencial të 17 shkurtit, Aeroporti i Sofjes mban emrin e Apostullit të Lirisë Vasil Levski, tha të martën sekretariati i shtypit i kreut të shtetit. Më 18-19 shkurt, Bullgaria shënon 152-vjetorin e vdekjes së Levskit (1837-1873) – liderit revolucionar bullgar më me ndikim në luftën për çlirim. /BTA

Lexo edhe

Video