Sekretari amerikan i Tregtisë i ka bërë thirrje Indisë që të ndalojë blerjen e armëve nga Rusia, duke thënë se New Delhi dhe Washingtoni duhet të krijojnë “marrëdhëniet më të mira”, transmeton AA.
“India ka blerë historikisht sasi të konsiderueshme të pajisjeve të saj ushtarake nga Rusia dhe ne mendojmë se kjo është diçka që duhet të marrë fund”, tha Sekretari i Tregtisë i SHBA-së, Howard Lutnick, për televizionin India Today.
Rusia është një nga furnizuesit kryesorë të mbrojtjes së Indisë për dekada.
Lutnick shprehu gjithashtu kundërshtimin ndaj çdo monedhe alternative ndaj dollarit amerikan nga BRICS.
“India është ‘I-ja’ në BRICS, që përpiqen të krijojnë një monedhë për të zëvendësuar dollarin si monedhë ekonomike globale. Këto lloj gjërash nuk krijojnë dashurinë që ne vërtet, thellësisht e ndiejmë ndaj Indisë”, tha ai, duke shtuar: “Ne do të donim që këto gjëra të përfundonin. Dëshirojmë që tregtia të jetë më e drejtë”.
Komentet erdhën pasi administrata Trump dëshiron që India të ulë tarifat.
Presidenti Donald Trump njoftoi të premten se India ka rënë dakord të ulë tarifat.
“India na ngarkon me tarifa masive. Nuk mund të shesësh asgjë në Indi…Ata kanë rënë dakord, duan të ulin tarifat e tyre tani, sepse dikush më në fund po i ekspozon ata për atë që kanë bërë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.