Kryetari i LDK-së, njëkohësisht dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku në një tubim elektoral në Lipjan, theksoi se LDK-ja do të rikthehet fuqishëm në pushtet.
Kryetari Abdixhiku edhe në këtë tubim nuk injoroi thumbimet. Ai pati komente të shumta për kryeministrin Kurti.
“Për katër vite na izoloi e na ndau, na dëshmuan për katër vite që nuk janë të aftë për asgjë. Ata folën mjaft për katër vjet e tani është koha të flasim ne”, deklaroi Abdixhiku.
Ai i cilësoi se janë plot helm e mllef andaj në 30 ditë fushatë nuk ofruan asgjë e nuk janë çfarë japin. “Keni kërkuar betejë politike, këtë betejë e keni tash”, i dërgoi mesazh kryeministrit Kurti.
Në një moment, Abdixhiku edhe ironizoi me moton e Lëvizjes Vetëvendosje duke i thumbuar me: “Të gjitha paratë e vjedhura e për të gjithë hajninë cep më cep, do përgjigjeni cent më cent”.
Pasi që përfundoi komentet e tij për kryeministrin e tanishëm, Abdixhiku u zotua për qytetarët e Lipjanit se gjatë mandatit të tij do ta ketë në prioritet këtë komunë.
Çerdhet, ndërtimi e renovimi i rrugëve ishin të parat në listën e premtimeve të tij. Për të gjithë punëtorët e sektorit publik premtoi rritje të pagës me 200 euro më shumë qysh në javën e parë të qeverisjes së tij. Barnat do jenë falas për pensionistët nëse Lumir Abdixhiku fiton votat për kryeministër. .
Të dielën e 9 shkurtit, do të mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë.