Lidhja Demokratike e Kosovës sot zyrtarisht ka hapur fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke kritikuar qeverinë aktuale për vjedhje e keqmenaxhim, ndërsa ka premtuar investime miliarda euroshe për katër vitet e ardhshme.
Me rastin e hapjes së fushatës, LDK-ja ka prezantuar edhe ekipin prej 110 kandidatëve për deputetë.
Kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku u zotua se të gjitha paratë e vjedhura nga pushteti aktual do të kthehen cent më cent, derisa akuzoi këta të fundit për vjedhje, propagandë, e sulme ndaj mediave e fjalës së lirë.
Para mijëra simpatizantëve, Abdixhiku deklaroi se “në republikën që ëndërrojmë kryeministri nuk vendoset mbi prokurorinë dhe nuk e mbron hajninë”.
“Le t’u themi zëshëm nga kjo sallë nëpër çdo cep të Kosovës, le tu themi cep më cep paratë e vjedhura do t’i ktheni cent më cent. Sepse 9 shkurti po vjen, ndryshimi po vjen”, tha Abdixhiku.
Përveç këtyre, i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se shumë familjeve kosovare u është dashur të kërkojnë shërim nëpër rajon e botë, për shkak se sipas tij shteti nuk u ka ofruar kujdesin e nevojshëm.
Në mesin e brohoritjeve ku u bë zyrtarisht hapja e fushatës zgjedhore, Abdixhiku u zotua se në javën e parë pas marrjes së mandatit të kryeministrit të Kosovës do të rriten pagat me koeficient 150 për të gjithë punëtorët e shtetit.
Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku në mesin e premtimeve, theksoi se do të ndërtohet centrali me gaz në Ferizaj për të reduktuar problemet me energjinë elektrike.
Po ashtu, Abdixhiku tha se në programin politik të LDK-së janë planifikuar pesë miliardë euro investime dhe pesë për qind rritje ekonomike.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…
Abdixhiku u premtoi qytetarëve se do të ndërtojë çerdhe të reja, stadiume e teatër të operas e baletit.
Ndër të tjera, ai tha se do investohet edhe në siguri duke shtuar numrin e policëve dhe ushtarëve.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë numrin 124 në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Kujtojmë, sot edhe zyrtarisht ka nisur fushata për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, ku për legjislativin e ri do të garojnë gjithsej 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë të certifikuar nga KQZ-ja.