Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku deklaroi se masakra e Reçakut është pikë kthese për vëmendjen ndërkombëtare.
Pas homazheve në Kompleksin Memorial, ai tha se sot janë në Reçak për të kujtuar se sa e shenjtë është sakrifica e popullit për liri.
“Në këtë vend u vranë 45 civilë shqiptarë, burra e gra të moshuar e fëmijë vetëm sepse ishin shqiptarë. Ky akt i rëndë, çnjerëzor, akt kundër njerëzimit ishte po ashtu pikë kthese për vëmendjen ndërkombëtare ndaj pasojave që populli i Kosovës i vuante nga regjimi i Millosheviqit dhe forcave serbe”, tha ai.
Në 26-vjetorin e masakrës në këtë fshat të Shtimes, po vendosen lule pranë varreve të 45 civilë e shqiptarë.
Gra, fëmijë e të moshuar u vranë nga forcat policore dhe ushtarake serbe.
I pari që i tha botës që në këtë fshat të Shtimes po kryhet krim kundër njerëzimit, ishte shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.
Të gjitha të dokumentuara, por Serbia ende e mohon masakrën e 15 janarit 1999 e cila shënoi kthesën e madhe për historinë e Kosovës.