Takime të ndara e diskutime, por opozita ende pa diçka konkrete për një bashkëpunim rreth qeverisë së re. Formimi i ekzekutivit nga partitë opozitare është vështirë i mundshëm thonë analistët – përkundër takimeve pas zgjedhjeve, të liderëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shkruan KosovaPress.
Ata vlerësojnë se “për shkak të egove personale” do të jetë e vështirë arritja e një kompromisi ndërmjet tyre “edhe nëse Lëvizja Vetëvendosje dështon ta formojë qeverinë, si partia fituese e zgjedhjeve”. Madje sipas tyre, më shumë ka mundësi që kryeministri aktual, Albin Kurti “t’i përçajë opozitarët duke e përfshirë ndonjërën në koalicion sesa opozita të bëhet bashkë”.
Krahas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje kritikohet për ngurrimin e nisjes së diskutimeve për formimin e qeverisë së re dhe “tendencën që përmes ankesave të zvarritet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit”.
Në bazë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27 për qind, koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind, transmeton KosovaPress.
Në bazë të këtyre shifrave, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 48 deputetë, PDK 24, LDK 20, AAK-Nisma 8 si dhe komunitetet jo shumicë 20 deputetë.
Përkundër se janë bërë më shumë se 1 muaj nga përfundimi i zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje – si parti fituese ende s’ka nisur diskutimet për formimin e qeverisë së re. Në anën tjetër, në PDK, kandidati për kryeministër Bedri Hamza është shprehur i gatshëm që nëse i vjen radha ta formojë qeverinë nga pozita e dytë.
Ai së bashku me liderin e partisë, Memli Krasniqi, gjatë kësaj jave kanë zhvilluar takime të ndara me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Mirëpo, përkundër këtyre takimeve, profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, thotë për KosovaPress se tri partitë e kanë humbur çështjen e konkretizimit të një platforme të përbashkët që do të rezultonte në formimin e qeverisë së ardhshme, përcjellë KosovaPress.
Skeptik për formimin e qeverisë nga partitë opozitare është edhe analisti, Dorajet Imeri, i cili thotë për KosovaPress se problemi kryesor qëndron te LDK-ja e cila “heziton të përfshihet në koalicion pa pasur pozitën e kryeministrit”.
Në PDK, LDK dhe AAK janë shprehur kategorik kundër koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, mirëpo më i hapur për bashkëpunim është shprehur lideri i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili do të ketë tre deputetë në Kuvend.
Në lidhje me këtë, Imeri shton se pikërisht Nisma e Fatmir Limajt mund të jetë “partneri i ardhshëm i LVV-së” për formimin e qeverisë.
Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje si partia fituese e zgjedhjeve ende nuk ka nisur diskutimet për formimin e qeverisë së re. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, javë më parë për KosovaPress tha se një gjë e tillë do të ndodh porsa të certifikohen zgjedhjet e 9 shkurtit.
Mirëpo vonesat për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, analisti Dritëro Arifi ia faturon Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka shfrytëzuar mekanizmat ligjorë për të kontestuar rezultatin e votave me postë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Aktualisht, LVV-ja ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme, pasi paraprakisht Paneli për Ankesa dhe Parashtresa ka rrëzuar pretendimet e tyre.
Sipas Arifit një gjë e tillë po ndodh pasi LVV-ja po dëshiron të blejë kohë derisa të sigurojë shumicën parlamentare prej 61 deputetëve.
KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare më 15 mars.
Hapi tjetër, pas shpalljes së rezultateve është certifikimi i tyre, me të cilin nis edhe rrjedhja e afateve zyrtare për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë.
Lajmi i plotë me parapagim.
/KosovaPress/