Paralajmërimi për funksionalizim të dialogut Kosovë-Serbi, nga shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas po mirëpritët në Kosovë. Megjithatë, ngritën shqetësime nëse në Kosovë mund të merren vendime të mëdha para themelimit të qeverisë së re, si dhe krizën politike në Serbi. Sipas njohësve të procesit të dialogut, gjatë muajit mars mund të ketë lëvizje në drejtim të dialogut, nëse veçse konfirmohet koalicioni i ri qeverisës në Kosovë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih të Gjermanisë, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, në takime të ndara, të premten kanë diskutuar me përfaqësuesin e ri special të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen.
Në takim me Sorensen, Kurti ka theksuar se Serbia ka shkelur Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, derisa ka shtuar se për të ecur përpara në dialog, Serbia duhet të nënshkruajë marrëveshjen, ta tërheqë letrën e ish-kryeministres drejtuar Bashkimit Evropian dhe ta dorëzojë kryeterroristin, Milan Radoiçiq i cili është përgjegjës për sulmin terrorist serb në Banjskë në vitin 2023.
Në lidhje me këto, analisti politik, Seb Bytyqi, thotë për KosovaPress, se për një lëvizje serioze në dialog duhet të ketë një konfirmim për koalicionin e ri qeverisës në Kosovë. Sipas tij, përkundër paralajmërimit të Kallas për funksionalizim të dialogut në muajin mars, zgjedhjet në Gjermani, por edhe kriza politike në Serbi, ku ka dhënë dorëheqje kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, mund të ndikojnë në ecjen përpara në dialog.
Ndërkaq, politologu, Artan Muhaxhiri është më skeptik se mund të ketë progres në dialog gjatë kësaj periudhe. Sipas tij, Kosova por as Serbia s’mund të marrin vendime të mëdha për një kohë të caktuar deri në konsitutimin e institucioneve të reja në Kosovë dhe tejkalimin e krizës politike në Serbi.
Ai vë në pah edhe rëndësinë që ShBA-ja, me administratën Trump do të kenë në këtë proces.
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, ka thënë gjatë kësaj jave se bashkë me të dërguarin e ri për dialogun, Peter Sorensen, do të tentojnë ta bëjnë funksional dialogun Kosovë-Serbi.
Diplomati danez, Peter Sorensen ka marrë detyrën si përfaqësues special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, më 1 shkurt të vitit 2025.
Gjatë mandatit të ish-emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, mirëpo që e njëjta ende s’ka gjetur zbatim.