A konsiderohet shkelje ligjore nëse anëtarët e qeverisë nuk japin sot dorëheqje?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që sot të certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit. Para këtij procesi po kërkohet që kryeministri e ministrat që kanë fituar mandatin e deputetit në këto zgjedhje, të japin dorëheqje. Disa po konsiderojnë se nëse nuk nuk japin dorëheqje, bëjnë shkelje kushtetuese dhe ligjore, e të tjerë thonë se kjo duhet të ndodh në ditën kur japin betimin si deputet.

Sipas Ligjit për Qeverinë, më saktësisht pikës 1 të nenit 26, nënvizohet se “në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit, ai duhet të jap dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”.

Përmes një letre drejtuar partive politike sot, KQZ i rikujtoi dispozitat e Ligjit për Qeverinë, konkretisht nenin që kërkon dorëheqjen e anëtarëve të Qeverisë aktuale që janë zgjedhur deputetë në legjislaturën e re.

Nga Instituti Demokratik i Kosovës, Vullnet Bugaqku konsideron se kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe anëtarët e kabinetit qeveritar që kanë fituar mandatin e deputetit duhet të japin dorëheqje qysh sot.

Ai shton se me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit nga KQZ-ja, ndryshon statusi i qeverisë dhe nga ai me kompetenca të plota kalon në dorëheqje me kompetenca të kufizuara.

“Parimisht duhet të japin dorëheqje të gjithë anëtarët që janë sot në detyrë, duhet të japin dorëheqje për faktin se Kushtetuta e Kosovës, por edhe ligjet në fuqi nuk lejojnë që një person të ketë statusin edhe të deputetit të zgjedhur, dhe të ministrit që mban funksionin aktual. Për këtë arsye është mirë që para se të certifikohen zgjedhjet KQZ-ja të certifikojë listën e kandidatëve vetëm të atyre që kanë pranuar mandatin e deputetit, por jo edhe të atyre kandidatëve që kushtimisht mund të kenë ndonjë funksion tjetër në pushtetin ekzekutiv”, thekson ai.

Nga Instituti Demokratik i Kosovës konsiderojnë se mosdhënia e dorëheqjes së qeverisë mund të konsiderohet shkelje ligjore dhe kushtetuese.


“Parimisht po, mund të cilësohet se goditet edhe Kushtetuta sepse e ndalon sepse është një nen aty që flet për papajtueshmërinë e ushtrimit të funksionit dhe ia ndalon edhe deputetit me qenë anëtar i ekzekutivit, por edhe i ekzekutivit të deputetit. Shkeljet edhe neni i 6 i ligjit për qeveri, por pasojë juridike nuk ka. Nuk ka ndonjë pasojë juridike që i penalizon”, thotë Bugaqku.

Por, mendim ndryshe për aspektin se a duhet të japin dorëheqje kryeministri dhe anëtarët e kabinetit me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit ndajnë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se anëtarët e qeverisë nuk kanë nevojë të japin dorëheqje deri në ditën kur japin betimin si deputetë.

“Nuk duhet që të krijohet një vakum institucional që të dërgohen dorëheqje nga postet ministrore deri në ditën kur bëhet betimi i deputetëve…Ligji për Qeverinë në rastin konkret është vetë problemi, është një ligj që nuk e ka adresuar këtë situatë për këtë arsye interpretimi duhet të shkoj në kuptim të interpretimit sistematik dhe logjik të Kushtetutës së Kosovës dhe të mos zbatohet ai nen që kërkon dhënien e dorëheqjes”, thotë ai.

Sipas Shalës, interpretimi kushtetues në këtë rast e legjitimon mos zbatimin e ligjit për qeverinë.

“Përkundër faktit se nuk zbatojnë drejt për së drejti normën ligjore në këtë rast, interpretimi direkt kushtetuese në rastin konkret edhe e legjitimon mos zbatimin e kësaj dispozite të ligjit që në fakt është një dispozitë e dobët, është një adresim i dobët ligjor dhe që e bënë të pazbatueshëm në këtë situatë. Përkundër faktit që do të duhej të lehtësonte rrugë është pikërisht ligji për qeverinë që e komplikon situatën në rastin konkret”, tha ai.

Nga Qeveria aktuale votat për deputetë edhe për legjislaturën e re i kanë marr kryeministri Albin Kurti, ministrat e zëvendësministrat Faton Peci, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla, Donika Gërvalla-Schwarz, Arben Vitia, Ejup Maqedonci, Hajrullah Çeku, Arbërie Nagavci, Liza Gashi,  Rozeta Hajdari, Fikrim Damka, Nenad Rashiq, Elbert Krasniqi, Emilja Rexhepi./B.Ibishi.

/KosovaPress/

Lexo edhe

Video