Votimi fizik në ambasada, numërimi i votave në qendrat komunale të numërimit, votimi për 10 kandidatë…
Këto janë vetëm disa nga praktikat e reja që u vendosen me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme e që u implementua për herë të parë në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, shkruan KosovaPress.
Por, sa ja vlejtën këto ndryshime?
Pati dyshime për manipulim, fletëvotime të pavlefshme dhe rinumërim, raprton KosovaPress.
Tridhjetekatër ditë nga mbajtja e zgjedhjeve dhe ende nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. KQZ-ja e ka sot në rend dite shpalljen e rezultateve.
Nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) konsiderojnë se Ligji i ri për zgjedhje nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret në administrimin e procesit zgjedhor, përcjellë KosovaPress.
Sipas hulumtuesit Vullnet Bugaqku, KQZ-ja ka dështuar me administrimin e procesit të numërimit të votave për kandidatë.
Sipas tij, nëse një proces i numërimit kalon nëpër duar të komisionerëve “domosdo manifestohet manipulimi, apo dyshimi mbi manipulimin e rezultateve, qoftë e partive politike apo kandidatëve për deputetë”.
Në anën tjetër, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thotë se pas përfundimit të gjithë procesit, do të analizohen edhe ndikimet e ndryshimeve ligjore.
Elezi shton se KQZ-ja ende nuk e ka koston përfundimtare, pasi procesi nuk është përmbyllur ende, raprton KosovaPress.
Ligji i ri për zgjedhjet e përgjithshme – i miratuar në mesin e vitit 2023 – mundësoi që për herë të parë të votohen 10 kandidatë nga 5 sa ishte në të kaluarën.
Për herë të parë, gjithashtu, u organizua votimi fizik në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, në 19 shtete, si dhe votimi me postë në kuti postare të hapura nga KQZ-ja në 22 shtete të ndryshme të botës.
Zgjedhjet në Kosovë – të parat të rregullta që prej shpalljes së pavarësisë më 2008, janë mbajtur më 9 shkurt, pas një fushatë zgjedhore që zgjati një muaj.
Në garë ishin 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë, raprton KosovaPress.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, ka dalë fituese e zgjedhjeve, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në koalicion me Nismën ka dalë e katërta.