Trump dhe pritjet për proceset ekonomike në Kosovë

Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, gjatë mandatit të parë ndërmjetësoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, më 4 shtator të vitit 2020. Teksa pritet të shihet ndikimi i tij në proceset ekonomike të Kosovës edhe në mandatin që mori më 20 janar të këtij viti.

Njohës të ekonomisë në Kosovë kanë mendime të ndryshme sa i përket ndikimit të Trump në proceset ekonomike të Kosovës.

Profesori i ekonomisë, Ilir Hajdini shprehet optimist se marrëveshja e vitit 2020 mund të riaktivizohet, porse këtu thotë se “ndikim do të ketë edhe qasja e qeverise së ardhshme në Kosovë ndaj ShBA-së”.

Ai beson se nëse do të ketë Kosova një qeveri bashkëpunuese dhe argumentuese me njerëz profesional, do të arrihet të binden të përzgjedhurit e në Administratën Trump për ndikim pozitiv ndaj Kosovës.

Ndërsa, për dallim nga Hajdini, njohësi i çështjeve ekonomike, Emanuel Bajra, shprehet skeptik se mund të riaktivizohet marrëveshja për normalizim ekonomik e cila ishte nënshkruar në shtator të vitit 2020 nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, në prani të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Ai gjithashtu ka theksuar se rreziku më i madh për Kosovën në periudhën e ardhshme do të vijë nga një situatë e mundshme në të cilën Serbia refuzon të njohë shtetin e Kosovës.


Ndërsa, shton se efektet potenciale në ekonomi, në rajon në përgjithësi do të vijnë nga efektet që do t’i ketë nëse Trump vendos që t’i vë tarifa vendeve tjera si Gjermanisë, Francës, Italisë e vendeve tjera.

Ani se dikur e kundërshtoi fort marrëveshjen e 2020, kryeministri Albin Kuti dje për gazetën spanjolle “El Mundo”, ka potencuar se marrëveshjet ekonomike të arritura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit Serbisë, ka theksuar se ‘kjo ishte qasja e asaj kohe, administrata presidentit Trump 1 për promovimin e stabilitetit’.

Marrëveshja parasheh angazhimin e Kosovës dhe Serbisë në ndërtimin e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore, për të lidhur kryeqytetet e tyre në mënyrë që të përmirësojnë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, zhvillime këto që mund të tërheqin investime perëndimore. Sipas marrëveshjes, Kosova obligohet të bëhet pjesë e një iniciative për lëvizjen pa pasaporta dhe detyrime tarifore, që do ta përfshijë Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kandidati i republikanëve në zgjedhjet presidenciale Donald Trump, është shpallur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara duke siguruar rreth 276 vota të Kolegjit Elektoral.

Në garën e 5 nëntorit ishin demokratja Kamala Harris, aktualisht zëvendëspresidente e Amerikës dhe republikani Donald Trump, i cili ishte president nga viti 2017 deri më 2021.

Ndërkaq, fitoren e Trumpit e kanë përshëndetur lider botërorë. Edhe në Kosovë Trumpi u urua nga liderë institucional e partiak.

Lexo edhe

Video