Emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka takuar në fund të mandatit të tij të zgjedhurin e ri të Bashkimit Evropian për këtë pozitë, Peter Sorensen.
Ai ka shkruar në X se bisedat për dorëzimin e detyrave janë duke u zhvilluar me intensitet të plotë, siç ka thënë ai, për të siguruar tranzicion pa pengesa.
Sorensen është zgjedhur nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas.
Ai do të fillojë punën në fillim të muajit shkurt.
Për detyrën e re e ka uruar të martën edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi i cili tha se qasja e balancuar ndaj palëve në dialog është parakusht për sukses.
Ndërkaq, mandati i emisarit aktual të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do të përfundojë më 31 janar.
Në krye me Lajçakun në këtë proces, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, mirëpo që ende nuk ka gjetur zbatim.
Kosova dhe Serbia dialogojnë për normalizim të marrëdhënieve që prej vitit 2011.
Në Kosovë po pritet qasje e re dhe më e barabartë nga diplomati danez, Peter Sorensen.
Megjithatë, sipas analistëve, blloku duhet të dizajnojë në tërësi dialogun e jo vetëm të ndryshojë emrat që lehtësojnë këtë proces./KosovaPress