Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq ka dhënë dorëheqje pas protestave të studentëve.
Ai në një konferencë për media ka folur për sulmin e mbrëmshëm ndaj studentëve në Novi Sad, ku një studente mbeti e plagosur rëndë.
Ai tha se ka marrë vendim të parevokueshëm për të dhënë dorëheqje pas ngjarjeve të mbrëmshme në Novi Sad.
“Kur mora mandatin nga Presidenti i Republikës në fund të prillit të vitit të kaluar, ndjeva një ndjenjë krenarie, por edhe përgjegjësinë që vjen me atë pozicion. Edhe unë e pashë veten si pjesë e një politike të vazhdimësisë, të vazhdimit në të njëjtat rrugë. Jam shumë krenar për gjithçka që kemi bërë si qeveri në nëntë muajt e fundit, duke çuar në suksesin historik të vendit duke marrë një vlerësim të notës investuese, duke rivendosur korridorin e inflacionit, duke pasur rritjen e dytë më të madhe ekonomike në Evropë dhe duke mundësuar rritje të pagave dhe pensioneve. Ajo që hodhi hije ishte tragjedia e madhe në Novi Sad dhe që nga ai moment Serbia dukej se ishte ngecur në atë fatkeqësi. Fatkeqësisht, kemi parë edhe një herë abuzime politike të tragjedisë. Edhe këtu qeveria ka treguar përgjegjësi. Doli se nuk ka njerëz të mbrojtur apo të privilegjuar. “Ne, si qeveri, u përpoqëm të publikojmë të gjitha dokumentet që ata kërkuan”, thotë Vuçeviq.
Ndërkohë, studentët kanë liruar autostradën të cilën e kanë bllokuar në shenjë proteste për 24 orë.
Përndyshe, studentët në bllokadë të Fakultetit Filozofik në Novi Sad kanë bërë të ditur se janë sulmuar mbrëmë, ku disa prej tyre kanë mbetur të lënduar.
Kujtojmë se Vuçeviq tha mbrëmë se është i gatshëm të bisedojë me përfaqësuesit e komunitetit akademik për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale në vend dhe shtoi se mezi e pret seancën e paraparë të Kuvendit.