Shtyhet seanca në rastin “KEK2”

Seanca e shqyrtimit fillestar në rastin ku po akuzohen ish-drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ish-shefi i prokurorimit Ymer Dragusha dhe avokati Isuf Zejna është shtyrë për 7 shkurt.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Rrahman Beqiri e shtyu seancën për shkak se nuk është kthyer dëshmia që Dragusha e ka marrë ftesën.

Ai njoftoi se seanca e radhës do të nis në orën 9:30, derisa shtoi se për prezencën e të pandehurit Ymer Dragusha, gjykata i ka në shqyrtim të gjitha veprimet e mundshme, përfshirë edhe lëshimin e fletëarrestit.

Përndryshe, më 30 dhjetor të vitit 2023, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftuar se ka ngritur aktakuzë në rastin e njohur “KEK”.

Në këtë rast i akuzuar është ish-kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi, ish-shefit të prokurimit në KEK, Ymer Dragusha dhe avokatit Isuf Zejna.


“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin Special, në rastin e njohur ‘KEK ‘kundër të pandehurve N.K.,Y.D.,I.Z.”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se të pandehurit akuzohen se gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, rreth 37 milionë euro duke kryer veprat penale: “keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Ky rast thuhet se tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për procedurë të mëtutjeshme.

Kjo është aktakuza e dytë ndaj Krasniqit.

Në aktakuzën tjetër të ngritur për korrupsion Krasniqi është deklaruar i pafajshëm.

Në aktakuzën e parë, ku Krasniqi akuzohet për korrupsion, Prokuroria pretendon se me veprimet e tij shteti është dëmtuar me 531.920 euro tatime, si dhe KEK-u me mbi 3.2 milionë euro, shkaku që është gjobitur nga ZRRE-ja për tregti me ndërmarrje të palicencuar në Kosovë.

Lexo edhe

Video