Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë risolli në vëmendje afresket e mrekullueshme të Kishës së Shën Marisë në ishullin e Maligradit.
Kjo kishë konsiderohet një gur i çmuar i Prespës por dhe gjithë Shqipërisë. Ajo gjendet në liqenin e Prespës, në ishullin e Maligradit, që prej shekullit të 14-të dhe është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore, shkruan ATSH.
Së fundmi, kisha është restauruar falë iniciativës ndërkufitare SMARTFORYOU2, në bashkëpunim të ngushtë me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Projekti për revitalizimin e kishës përfshiu restaurimin dhe konservimin e saj brenda dhe jashtë, rehabilitimin e shtegut që të çon drejt saj, dhe ruajtjen e afreskeve të mrekullueshme murale që i japin jetë mureve të shenjtë.
Ndriçimi i ri i kishës dhe shtegut krijon një atmosferë magjike që përforcon bukurinë e këtij vendi të shenjtë.
Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske.